
Gërxhaliu: Rimëkëmbja ekonomike në vitin 2022, fontanë dëshirash
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se rimëkëmbja ekonomike e Kosovës në vitin 2022 është vetëm fontanë dëshirash.
Ai ka thënë se krejt kjo nuk mund të ndodhë pasi që sipas tij, ka pasur shumë keqpërdorime me pakot emergjente të miratuara nga qeveritë e kaluara.
“Për institucionet e ndryshme dhe organizatat ndërkombëtare është lehtë të hartojnë plane dhe për të dhënë prognoza të tilla për rimëkëmbjen, mirëpo realiteti në Ballkanin Perëndimorë është krejt ndryshe në veçanti sa i përket Kosovës. Vetë fakti se institucionet e ndryshe ndërkombëtare paralajmërojnë se pandemia do të shuhet në vitin 2022, lindi pyetja si do të ketë rimëkëmbje të ekonomisë në Ballkanin Perëndimor kur shumë vende kanë pësuar deri në 15 për qind rënie të trendeve ekonomike dhe e tëra kjo kërkon kohë angazhim, mbështetje, partneritet dhe përkushtim”, ka thënë Gërxhaliu për “EO”.
Ai ka thënë se nga pakot emergjente të qeverisë kanë përfituar më shumë bizneset të cilat kanë e kanë dyfishuar qarkullimin, sidomos në kohën e pandemisë.
“Në Kosovë kemi parë vetëm dy pako, atë të marsit 2020 dhe pakon emergjente të tetorit të vitin 2020. Mirëpo nga vetë fakti që kemi pasur keqpërdorim ose qasje selektive, ku në vend që ato t’i ndërmarrin bizneset e vogla, qytetarët dhe ekonomitë e varfra ato kanë shkuar në kontot e kompanive të cilat më së shumti kanë përfituar nga pandemia, e kanë dyfishuar qarkullimin në kohën e pandemisë. Dhe të mendohet se Kosova do të ketë rimëkëmbje ekonomike në vitin 2022 është një fontanë dëshirash, e vështirë për t’u realizuar dhe nëse vendet të rajonit ju duhet dy vite, Kosovës do t’i duhet dyfishi”, është shprehur Gërxhaliu.