
Gërxhaliu: Roli i komunave në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik është fuqia që shpesh nënvlerësohet
Ish-kryetar i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se mungesa e dialogut dhe qasja politiko – partiake nga niveli qendror përball nivelit lokal apo komunave të Kosovës e ka denigruar imazhin dhe rëndësinë e komunave në zhvillim të përgjithshëm ekonomiko social.
Gërxhaliu ka thënë se roli i komunave në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik është fuqia që shpesh nënvlerësohet.
Ai thotë se bllokohen projekte në interes të qytetarëve vetëm pse komuna udhëhiqet nga një parti tjetër politike dhe jo nga ajo e nivelit qendror.
“Shumëkush mendon se vetëm qeveria qendrore mund të ndryshojë ekonominë. Në fakt, pushteti lokal ka kompetenca reale që prekin përditshmërinë e qytetarit. Dhe pikërisht kjo e bën të rëndësishme peshën e zgjedhjeve që po mbahen”, ka thënë ai.
Sipas Gërxhaliut, komunat kontrollojnë urbanizimin dhe tregun e ndërtimit. “Një komunë mund të ndalë ndërtimet spekulative, të vendosë rregull dhe të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e banesave. Komunat krijojnë tregje lokale. Nëse fermeri ka hapësirë për të shitur prodhimin, qytetari blen më lirë dhe ekonomia lokale merr frymë. Komunat ofrojnë shërbime publike – ujë, mbeturina, ndriçim, transport lokal. Cilësia e këtyre shërbimeve përcakton standardin e jetesës dhe kostot për biznesin. Komunat mund të lidhin partneritete publike-private për infrastrukturë, parqe industriale, shërbime të reja. Komunat mund të jenë shembull transparence. Një kryetar që udhëheq me llogaridhënie e forcon besimin në shtet – dhe besimi është kapital i pazëvendësueshëm. Nëse qeveria qendrore flet për shifra, komuna flet për jetën e përditshme. Aty matet shteti”, ka theksuar Gërxhaliu, duke shtuar se Kosova nuk ka luksin të vazhdojë me dy iluzione. “Me nacionalizëm të zbrazët dhe me rritje ekonomike në letër. Një shtet nuk matet me raporte statistikash, por me dinjitetin e qytetarit të tij. Një ekonomi e vërtetë është ajo që i jep të riut arsye të qëndrojë, që i jep punëtorit siguri, që i jep familjes banesë të përballueshme. Përvoja dëshmon se besimi i qytetarit dhe i biznesit nuk fitohet me fjalë, por me institucione funksionale dhe me ekonomi reale. Kryetarët që do të zgjidhen në këto zgjedhje kanë përgjegjësi historike: të tregojnë se pushteti lokal mund të bëhet ura e zhvillimit, jo thjesht zyra e administrimit”, është shprehur ai.
Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka thënë se Kosova ka nevojë për një kthesë.
“Jo më iluzione, por vepra. Jo më ekonomi të shifrave, por ekonomi të qytetarëve. Rëndësia e zgjedhjeve lokale është e rëndësishme në shumë dimensione në interes të qytetarit dhe shtetit. Vota e gabuar dhe e pa merituar e vret ardhmërinë dhe mirëqenien e qytetarit. Të votohen ata që kanë ide dhe empati për qytetarin e jo të votohen ata që votën e juaj e shohin vetëm si mundësi për punësimin e tyre dhe një pagë të garantuar katërvjeçarë! Vota nuk lypet por meritohet”, ka deklaruar Gërxhaliu.