Gërxhaliu: Të stimulohen të punësuarit vendorë në sektorin privat

26 prill 2023 | 11:55

Ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se duhet të stimulohen të punësuarit vendorë në sektorin privat.

“Duhet të stimulohen të punësuarit vendorë në sektorin privat, importimi i fuqisë punëtore nga jashtë është sfidë!?”, ka shkruar ai në “Facebook”, duke theksuar se ditëve të fundit në mediet kroate dominojnë titujt si “Nepalezët krijojnë sindikatë dhe adresojnë pakënaqësitë me kushtet e punës”.

“Në medie tjera dominojnë po ashtu titujt me pakënaqësitë e të punësuarve të ardhur nga Filipinet!!?. Në qoftë se në vende evropiane si Kroacia ka reagime të tilla, atëherë lind pyetja sesa do të jenë të kënaqur eventualisht në Kosovë!?. Në debatet televizive vendore nga ana qeveritare promovohet zhvillim ekonomik enorm pozitiv në të gjithë parametrat. Në anën tjetër Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtare e vlerëson Shqipërinë dhe Kosovën si vendet më të varfra jo vetëm sot por edhe në dhjet vitet e ardhshme”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se kjo është një situatë sa shqetësuese po aq edhe kontradiktore.

“Agjenda politike e ngulfat çdo ditë e më tepër perspektivën zhvillimore të Kosovës, e mungesa e stabilitetit politik në Kosovë po i demotivon investitorët e huaj të vijnë në Kosovë. Pandemia demografike është sëmundja më e rrezikshme që e ka kapluar Kosovën dhe po merr përmasa shqetësuese. Ikja nga Kosova e të rinjve është alarmante e në veçanti kur në vitin e kaluar zyrtarisht janë të evidentuar afër 60 000 ikje!?”, ka thënë Gërxhaliu.

Ish-drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë tutje se sektori privat është shtylla e qëndrueshmërisë së shtetit.

Ai ka theksuar se nevoja për fuqi punëtore në këtë sektor po rritet çdo ditë e më tepër. “Alternativa që po dëgjohet më së shumti për të zgjedhur këtë problem është importimi i fuqisë punëtore nga vende të ndryshme të botës, në veçanti nga Nepali, Filipinet, Pakistani etj”, është shprehur ai.

Gërxhaliu, i cili është edhe themelues i kompanisë këshilluese biznesore EK-Consulting, ka thënë se është e rrugës të avancohet një dialog më i avancuar publiko – privat dhe të përmirësohen kushtet e punës dhe të rriten pagat në sektorin privat. Në këtë drejtim, ai ka thënë se është shumë më e lehtë dhe më produktive sesa kostoja e importimit të fuqisë punëtore nga jashtë.

“Inspektorati i Punës le t’i vizitojnë marketet, kompanitë e sigurimit të objekteve, kompanitë për pastrim, restorante dhe kafiteri, disa medie etj. Besoj se do të jetë shqetësuese kur të kuptohet e vërteta e pagave në këta sektorë.

“Prandaj të rinjtë ikin nga kjo pakënaqësi. Të importoni fuqi punëtore nga jashtë ka kosto jo vetëm financiare por edhe edukative duke filluar nga trajnimet, gjuha, kultura, tradita e punës etj. Prandaj të rrisim pagat dhe të i përmirësojmë kushtet e punës për fuqi punëtore vendore është shumë më racionale se sa të mendohet vetëm në punëtorë të huaj. Janari i vitit 2024 vjen shpejt e liberalizimi fillon së zbatuari, prandaj të veprojmë sot që mos të jetë vonë atëherë”, ka thënë Gërxhaliu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka…