Giovanni Pietro Barbano merr detyrën si shef i ri i EULEX-it

26 qershor 2023 | 11:15

Giovanni Pietro Barbano ka marrë detyrën si shef i ri i EULEX-it.

Në njoftimin e EULEX-it është thënë se ai ka më shumë se 40 vjet përvojë në ligj dhe rend, aktivitete të policisë, dhe operacione të paqes.

Barbano në këtë detyrë pason diplomatin suedez, Lars-Gunnar Wigemark, i cili ka përfunduar misionin e shefit të EULEX-it më 25 qershor.

“Ndjej një përgjegjësi të madhe gjersa marr sot detyrën si shef i EULEX-it, një partner strategjik i Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë. Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për mandatin jetik të misionit, unë do të punojë me integritet dhe profesionalizëm për të vazhduar moton e misionit: ‘Partneritet për drejtësi’, për të ndikuar pozitivisht në teren dhe për t’i avancuar synimet tona të përbashkëta për sundimin e ligjit në Kosovë”, ka thënë Barbano.

Ai është shprehur se EULEX-i do të vazhdojë të monitorojë nga afër rastet e përzgjedhura në nivel policor.

“EULEX-i do të vazhdojë të monitorojë nga afër rastet e përzgjedhura në nivel policor, prokurorial dhe gjyqësor, dhe në nivel korrektues, për të vlerësuar se si ato raste trajtohen nga autoritetet e Kosovës. Mes tjerash, monitorimi do të përqendrohet në respektimin e të drejtave të njeriut, garancitë për gjykime të drejta, si dhe trajtimin e barabartë për të gjithë, përfshirë pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë.”

“Ndjehem i nderuar nga besimi që Shtetet anëtare më kanë dhënë, dhe me padurim pres të vazhdoj trashëgiminë e paraardhësit tim, Lars-Gunnar Wigemark”, ka thënë Barbano.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të arrestuar nga forcat serbe…