
Gjaku në urinë, çfarë e shkakton dhe kur duhet të shqetësoheni?
Hematuria është termi mjekësor që tregon prezencën e gjakut në urinë. Është një situatë që do të frikësonte këdo, por ka shumë shkaqe që mund ta provokojnë dhe jo të gjitha janë serioze.
Megjithëse gjaku në urinë është përgjithësisht i dukshëm me sy të lirë, nuk ndodh gjithmonë kështu. Për këtë arsye, hematuria ndahet në dy tipe kryesore: makroskopike dhe mikroskopike. Lloji i dytë kërkon një diagnozë duke përdorur testet laboratorike.
Në çfarë konsiston hematuria?
Në kushte normale, urina nuk përmban gjak. Hematuria përcaktohet si prania e më shumë se dy qelizave për fushë mikroskopi në sedimentet e urinës pas centrifugimit, të vërejtura nga teknikat laboratorike.
Hematuria ndodh kur veshkat, ose një pjesë tjetër e traktit urinar, lejojnë kalimin e qelizave të gjakut në urinë. Këto të fundit i japin ngjyrë të kuqërremtë urinës, por mund të mbetet edhe e pandryshuar. Nga ky ndryshim, hematuria ndahet në makroskopike dhe mikroskopike.
Shkaqet kryesore të hematurisë
Në shumë raste, nuk është e mundur të gjurmohet shkaku i saktë. Proceset kryesore që shkaktojnë kalimin e gjakut në urinë janë:
- Infeksionet e traktit urinar – Një gjendje e zakonshme, sidomos tek gratë, për shkak të afërsisë së uretrës me anusin, që mundëson kalimin e baktereve.
- Infeksionet e veshkave (pielonefriti) – Bakteret mund të arrijnë veshkat përmes gjakut ose uretrave.
- Zmadhimi i prostatës – Me kalimin e moshës, prostata mund të zmadhohet dhe të shtypë uretrën, duke vështirësuar urinimin dhe duke shkaktuar hematuri. Kjo ndodh edhe në rastet e infeksionit të prostatës.
- Gurë në fshikëz ose veshka – Kripërat në urinë mund të formojnë kristale që bëhen gurë, të cilët kur kalojnë nëpër traktin urinar, mund të shkaktojnë gjakderdhje.
- Kanceri – Mund të jetë simptomë e kancerit të fshikëzës, prostatës ose veshkave, por zakonisht shfaqet në faza të avancuara, duke e vështirësuar diagnostikimin.
- Glomerulonefriti – Inflamacion i glomerulave, pjesë e sistemit të filtrimit në veshka. Mund të shkaktohet nga diabeti, infeksionet ose disa sëmundje të gjakut.
- Disa ilaçe – Si antikoagulantët apo ilaçet kundër tumoreve.
Siç shkruan Living, hematuria mund të vijë gjithashtu nga lodhje fizike e madhe, trauma ose dehidratim. Për këtë arsye, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun dhe të bëni analizat e nevojshme.
Si manifestohet hematuria?
Hematuria makroskopike (e dukshme) paraqitet me ngjyrë të kuqe ose të errët të urinës. Zakonisht nuk shoqërohet me dhimbje apo simptoma të tjera. Megjithatë, disa shenja mund të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut:
- Ethe, temperaturë dhe dhimbje mesi – Mund të tregojnë infeksion të veshkave.
- Urinim i shpeshtë dhe djegie – Tregues të infeksioneve urinare.
- Hematuri pa simptoma dhe e vazhdueshme – Mund të jetë pasojë e tumorit në veshka.
Pas moshës 40 vjeç, për burrat është e domosdoshme të kryejnë kontrolle të rregullta të prostatës.
Për të kuptuar arsyet e pranisë së gjakut në urinë, këshillohet të kryhen analizat përkatëse të urinës.