Janë bërë gjashtë ditë prej kur ka nisur kërkimi i Beqir Malokajt, i cili u raportua si i zhdukur në Istog.
Njësiteve kërkuese të FSK-së, Policisë së Kosovës, klubit alpin “Podguri”, Shoqatës së kërkim-shpëtimit dhe qytetarëve, sot iu bashkua edhe kryetari i Istogut, Ilir Ferati.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Sot, në ditën e gjashtë të kërkimit të personit të humbur, Beqir Malokaj, mobilizimi ishte i jashtëzakonshëm. Ekipet nga njësitë lokale, FSK, Policia e Kosovës, Klubi Alpin Podguri, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, ambulanca dhe qytetarët po bashkëpunojnë si rrjet i përbashkët, duke kërkuar çdo gjurmë të bashkëqytetarit tonë nga Saradrani, z. Malokaj.
Si institucion komunal, mbetemi të përkushtuar për çdo qytetar, duke ofruar mbështetje dhe praninë tonë aktive kudo ku ka nevojë.
Faleminderit të gjithëve për angazhimin dhe përkushtimin. Qëndrojmë me shpresë që ta gjejmë Beqirin, shëndosh e mirë.