Gjatë 100 ditëve i prodhojmë 100 mijë aparatura për frymëmarrje

28 mars 2020 | 09:22

“Përparësi është jeta, siguria e qytetarëve dhe më pas vjen ekonomia”, tha dje presidenti Trump para gazetarëve në konferencën e përditshme për shtyp të grupit të punës kundër koronavirusit.

Presidenti Trump kishte sinjalizuar ditët e fundit se mund t’i lehtësonte kufizimet e lëvizjes për ta rigjallëruar aktivitetin ekonomik, duke nxitur reagime të forta nga specialistë të shëndetësisë që thonë se në Shtetet e Bashkuara sëmundja ende nuk ka arritur pikun dhe nuk duhen caktuar afate kohore.

Presidenti foli para gazetarëve pasi nënshkroi paketën historike prej dy trilionë dollarësh për të mbështetur individë, biznese dhe institucione për t’i përballuar nevojat ekonomike si rezultat i paralizimit të aktivitetit ekonomik si dhe për t’i mbështetur shtetet individuale që po përleshen me epideminë.

Presidenti u përcolli një paralajmërim kompanive amerikane të automjeteve se do të përdorë një ligj që i detyron industritë private të prodhojnë aparatura për nevoja strategjike të vendit. Presidenti kërkoi nga kompanitë e automjeteve të prodhojnë aparatura për frymëmarrje, megjithëse nuk është e qartë se në çfarë forme mund t’ua imponojë prodhimin këtyre kompanive.

Gjatë ditës së djeshme presidenti nënshkroi një urdhër ekzekutiv ku udhëzon sekretarin e Shëndetësisë të analizojë në ç’formë mund të zbatohet Ligji i Prodhimit për Mbrojtjen kundër kompanisë “General Motors”, e cila ka shprehur gatishmërinë për të prodhuar aparatura për frymëmarrje por, siç tha presidenti, prodhimi ka ngecur.

Presidenti u shpreh optimist se brenda 100 ditët do të prodhohen 100 mijë aparatura frymëmarrjeje. Por shumë guvernatorë, ndër to edhe guvernatorë në shtetet konservatore si Luiziana dhe Ohajo, thonë se nuk kanë pajisje të mjaftueshme për krizën që mund të shfaqet brenda më pak se një jave. /VOA/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Turqia anuloi të gjitha fluturimet ndërkombëtare dhe vendosi t’i ndalojë…