Gjatë torturës

16 shkurt 2021 | 11:20

BESIM ZYMBERI

(Përjetimeve personale dhe të të gjithë shqiptarëve që u torturuan nga milicia serbe)

Gjithçka po më ngrin, muskujt damarët
Si daulle lufte eshtrat më kërcasin
Ndonjëherë më vjen t’ia marr të qarët
Por gojët e këqija ç’nuk mund të flasin…

Gjithçka brenda meje dalëngadalë po ngrin
Kapilarët pothuaj më kanë plasur
Jo! Nuk dua të mbetem vetëm një kujtim
Së paku të më mbeten vetëm sytë hapur…

Jeta është e ëmbël, e kam dashur shumë
Por, aq e rëndë është kjo torturë…
Sikur t’mund të bëja sall dy kokrra gjumë…
Në ëndërr të lozja në kitarë një partiturë

Koka më është fryrë, trupi më është nxirë
Lëkurën e djegur e heq si çorapë
Më falni, ju lutem, por është aq vështirë
Mund të jetë e fundit e imja kjo natë

Ndonjëherë çirrem sa trazoj dhe hënën
Pastaj më vjen një e qeshur në çast
Muzë por poetët (mos e pafshin gjëmën)
Kur jeta dhe vdekja janë në bast

Kjo torturë e zezë aq shumë më dhemb
Por i shtrëngoj dhëmbët dhe qelbin përtyp
S’dua t’më përqeshin: “Ja, ky u çmend
Se ia ndrydhëm e shtrydhëm ëndrrat në fyt…”

Nuk mund të kem një dëshirë të dytë
Kur trupi më grihet pa e parë diellin
Ah, sikur t’më mbeten të hapur vetëm sytë
T’i shoh lulet, fëmijët, yjet, qiellin…

 

(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Naser Iseni dhe Ardiana Zeka sërish kandidojnë në zgjedhjet e…