
Gjenden armë brenda makinës të braktisur prej tre vitesh në Portin e Durrësit, ishte nisur nga Kosova me destinacion Kongon
Policia Kufitare në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe Policinë e Durrësit, gjetën të fshehura në një automjet tre armë zjarri dhe 1580 fishekë luftarakë.
Në kërkim është shpallur poseduesi i tyre dhe vijon puna për kapjen e tij. Makina kishte tre vite e braktisur në Portin e Durrësit pasi ishte nisur nga Kosova me destinacion republikën e Kongos.
Njoftimi:
Automjeti Land Rover tranzit doganor nga Kosova për në Shqipëri me destinacion përfundimtar Republikën Demokratike të Kongos, i cili ka hyrë në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Morinë më datë 20.12.2022.
Kontenieri ku ndodhej automjeti, ishte i mbyllur në sheshin e kontenierëve në portin e Durrësit që prej dhjetorit të vitit 2022 pasi dërguesi nuk ishte paraqitur për të kryer veprimet doganore dhe më datë 04.06.2025, Autoriteti i Degës së Doganës Durrës vendosi kryerjen e procedurës së hapjes dhe kontrollit te këtij kontenieri.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në automjetin Land Rover shërbimet e Policisë konstatuan në brendësi të automjetit në një hapësirë të përshtatur 2 armë zjarri automatike, 1 armë zjarri pistoletë, 1580 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm dhe 12 krehra fishekësh për armë automatike dhe pistolete.
Nga veprimet hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat hetimore të DVP Durrës dhe asaj Kufitare të Portit Durrës për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje është bërë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar të posedimit të armëve dhe të përfshirë në trafikimin e armëve dhe municioneve nga Kosova me destinacion Republikën Demokratike të Kongos.
Konkretisht u shpall në kërkim shtetasi kosovar Y. I, 24 vjeç dhe vijon puna në bashkëpunim me Policinë e Kosovës për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Armët e zjarrit do dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për t’ju nënshtruar ekzaminimeve teknike, balistike dhe daktiloskopike për të parë nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të mëparshme.