
Gjenden mbetje mortore në bjeshkët e Strellcit, dyshohet se janë të viktimave nga lufta
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) ka njoftuar se në lokacionin “Lugjet e Nekës”, në bjeshkët e Strellcit, janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore që potencialisht u përkasin viktimave të luftës e të cilat ende figurojnë në Listën e Personave të Zhdukur.
Sipas njoftimit, informatat janë pranuar nga qytetarë dhe më pas janë adresuar te Sektori i Policisë për Personat e Zhdukur në kuadër të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe me IML-në, me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it.
“Me urdhër të Prokurorit kompetent, mbetjet mortore u zhvarrosën dhe u dërguan në IML për ekzaminime të mëtejme dhe identifikim përmes analizës së ADN-së”.
“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur mbetet i përkushtuar ndaj zbardhjes së fatit të çdo personi të zhdukur dhe vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. U bëjmë thirrje qytetarëve që të ndajnë çdo informacion të mundshëm që ndihmon në këtë proces”, ka njoftuar LQPZh-ja.
Më tutje, KQPZh-ja ka bërë me dije se për çdo zhvillim të ri, publiku do të informohet menjëherë pas përfundimit të procedurave përkatëse.