Gjendet varr i lashtë në Turan të Tepelenës

17 shtator 2020 | 08:14

Zbulimi arkeologjik në fshatin Turan të Tepelenës i përket shekullit III-II para lindjes së Krishtit. Konstatimi është nga specialisti i Institutit Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, Maringlen Meshini, i cili shton se ky është një vlerësim paraprak. Në një intervistë për gazetarin Piro Nase, arkeologu shprehet se raporti i bërë në terren do t’i kalojë Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë për të dalë në një konkluzion final.

“Kemi të bëjmë me një gjetje rastësore që ka ardhur si pasojë e punimeve bujqësore. Bëhet fjalë për një varr që, nisur nga konstruksioni që ka, mund të themi se mund të jetë i shek III-II para lindjes së Krishtit. Raporti i terrenit do të kalojë pranë Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë, i cili do të përcaktojë më tej se çfarë do të bëhet. Por, neve na bën optimistë potenciali i konsiderueshëm që ka zona. Kjo e shton më shumë hartën e periudhave të ndryshme që na kanë munguar për këtë pjesë”, shprehet arkeologu Maringlen Meshini.

Edhe banori i fshatit ka treguar lidhur me zbulimin e bërë rastësisht nga ai, duke treguar se pllakën e varrit e kishte pikasur teksa ishte duke punuar tokën me traktor. “Pllakën mbi varr e gjeta kur isha duke punuar tokën. Thonë se kanë gjetur edhe varre të tjerë, sikundër gjeta edhe unë. Në të kishte disa monedha bronzi, një kandil qeramike, disa enë ceremoniale, një qyp me ujë dhe një me vers të mbyllur hermetikisht. Brenda gjeta dhe eshtrat po në kontakt me oksigjenin ato u shpërbënë”, shprehet Nuro Kuçi.

Gjetjet u zbuluan ditën e djeshme, krejt rastësisht nga Kuçi, i cili ka lajmëruar menjëherë për gjetjet, brenda varrit të lashtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në Bruksel do të jetë takimi i radhës ndërmjet…