GJENDJA DHE PERSPEKTIVA E GJUHËS SHQIPE NË PERIUDHËN POSTGLOBALISTE

23 maj 2020 | 15:53

Begzad Baliu

“… gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli, dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar” (Çabej, 1929)

I.

Në fund të vitit që shkoi studiues nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe studiues të institucioneve të tjera shkencore e arsimore në Tiranë, rikthyen në diskutim një çështje për të cilën është diskutuar, janë shprehur shqetësime dhe madje janë bërë edhe polemika, çështjen e mbrojtjes me ligj të shqipes standarde.

Autorë të këtij projekt-propozimi, hartuar në vitin 2014, janë akademikët: Jorgo Bulo, Enver Hysa, Luan Omari, Eduard Sulstarova etj.,që më parë se sa gjuhëtarë, juristë e studiues të letërsisë, ishin dhe janë intelektualë të përmasave kombëtare e ndërkombëtare, personalitete të mendimit shkencor e studiues me përvojë të madhe historike, në të vërtetë, studiues me vetëdije të lartë historike dhe me pikëpamje e virtyte mbarëkombëtare. Lajmi përkatësisht projekt-propozimi a iniciativa na bëri të kuptojmë dhe besojmë se tani Tirana dhe institucionet politike, arsimore dhe shkencore urgjentisht duhet të marrin rolin prijës të ëndrrave tona për gjuhën shqipe, të cilën Prishtina nuk ka mundur ta realizonte dikur për shkaqe politike dhe nuk mund ta realizojë tani për mungesë studiuesish e institucionesh profesionale.

Duke pasur parasysh rrethanat nëpër të cilat kaloi së fundmi populli shqiptar: tërmetet e pazakonshme në Shqipëri, pandemia globale e virusit Korona, si dhe lëkundjet afatgjata në jetën politike në Shqipëri e sidomos në Kosovë, nuk kemi pritur as kësaj radhe të kemi diskutime as në interes të realizimit të kësaj iniciative të përsëritur as të kundërshtimit institucional të saj. Në këto rrethana natyrshëm nuk mund të pritej ndonjë diskutim i gjerë as aprovues as polemizues, por rrethanat nëpër të cilat po kalojmë vitin e fundit, më kanë bërë të besoj se në shkallë kombëtare pritej edhe një diskutim ndërgjegjësues rreth gjuhës, si njërën prej pasurive unike të kombit shqiptar. Kjo e dyta, pandemia globale, madje mund të ishte edhe një prej arsyeve shumë të veçanta pse për gjuhën dhe më tej trashëgiminë kombëtare, të ndërmerreshin masa të forta, mbrojtjeje, sa edhe për fatet fizike individuale e kolektive të shqiptarëve në hapësirën etnike, mërgatën dhe diasporën shqiptare.

Pa dashur të merrem  me diskutimet anësore, shumë herë të zbehta dhe shumë herë irituese, mund të them se ato u orientuan kryesisht në dy drejtime: në Tiranë me komente anësore, që të kujtojnë ankimet e shekullit XVI të shkrimtarit anglez Gjon Hart (John Hart), për “mëkatet” e alfabetit anglez,për shkak të të cilave e kishte vështirë të mësonte dhe vështirë të lexonte” (Kristal, 1997: 215),  ndërsa në Prishtinë me reagime individuale, të cilat më parë se për një ligj mbrojtës të njërës prej vlerave më të rëndësishme që kemi, dëshironin që projekt-propozimit t’i jepnin karakterin e një karikature, që më parë se sa të shquante gjuhën, thesarin e vetëm të popullit shqiptar, sikur do të shprehej Profesor Çabejt, donin të krijonin mjegull mbi rolin që mund të kishte mbrojtja e këtij thesari.

Gjuha shqipe është gjuhë historike, ndërsa populli shqiptar është popull historik dhe e drejta e tij për hapësirë gjeografike europiane, identitet kombëtar dhe të barabartë me vendet fqinje e me popuj të mëdhenj të Evropës, i detyrohet para se gjithash gjuhës shqipe si dhe mundësisë së saj që të funksionojë si një standard i vetëm. Më parë se vetë populli shqiptar dhe bëmat e tij është vepra Meshari i Gjon Buzukut ajo që i bëri shqiptarët pjesë të qytetërimit europian. Më parë se populli shqiptar dhe bëmat e tij është gjuha shqipe ajo që me të gjitha përmasat kuptimore e bëri të flas Biblen në gjuhën shqipe në fillim të shekullit XIX, në të vërtetë më parë se të bëhej populli shqiptar pjesë e qytetërimit dhe trashëgimisë së përbotshme është gjuha shqipe ajo që në projektin e Franc Boppit (1854), dëshmoi të qenit e saj degë e familjes së gjuhëve indoeuropiane, madje njëra prej degëve bazë, njëra prej dymbëdhjetë degëve të trungut të saj. Struktura gramatikore e gjuhës së shkruar shqipe, në tekstet e kohës do të dëshmojë  rreth dy shekuj më parë atë që së fundi do ta konstatojë Umberto Eco; “Gjuha mëmë nuk ishte një gjuhë e vetme, por tërësia e të gjitha gjuhëve” (Eko, 2008: 342)

Në këtë periudhë, kur çështja e gjuhës kombëtare ishte një nga çështjet e mëdha evropiane (Thiesse, 2004: 87), kur sikur shprehej Herder, “çdo gjuhë, është shprehje e gjallë, organikë e shpirtit të një populli, shuma e veprimit efikas të gjithë shpirtrave njerëzorë që e kanë përbërë gjatë shekujve (Thiesse, 2004: 44), gjuha shqipe iu përgjigj parimit “kombi ekziston, përderisa ka një gjuhë”, ndryshe nga parimi tjetër që vlente për popujt e mëdhenj “kombi ekziston, duhet t‘i jepet një gjuhë” (Thiesse, 2004: 86).

Për më tej, më parë se sa populli shqiptar të dëshmonte përfundimisht orientimin e tij drejt qytetërimit europian, janë shkronjat e alfabetit të Kongresit të Manastirit ato që shfaqen fytyrën europiane të këtij populli; dhe së fundmi, më parë se sa populli shqiptar, populli i ndarë në dy shtete të arrinte bashkimin a tij në një shtet, është gjuha, shqipja standarde (Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe,1972), ai që i bashkoi në komunikimin e tyre si një popull modern dhe i vetëm.

II.

Në këtë rrjedhë, dua që me përgjegjësinë e folësit të gjuhës shqipe, ligjëruesit të saj universitar, të studiuesit e qytetarit të shqetësuar për secilën shkronjë e për secilën fjalë të shqipes, të propozoj një orientim të ri të institucioneve akademike dhe arsimore shqiptare, kudo janë krijuar brenda institucioneve kombëtare e ndërkombëtare:

  1. Gjendja shumë serioze, që po krijohet pas mbylljessë botës, do të sjellë rivlerësime të perspektivës së popujve e të gjuhëve të tyre, e në mënyrë të veçantë fatit të gjuhëve e të kulturave të popujve të vegjël, sikur është edhe populli shqiptar. Mbyllja e sotme globale në këto përmasa, si dhe një perspektivë e mbylljes Lindje (Azi) – Perëndim në një të ardhme jo shumë të largët mund të rezultojë me një shpërthim demografik dhe lëvizje qindmiljonëshe të aziatikëve drejt Europës, një përmasë që të kujton shtegtimin e popujve indoeuropianë dhe arritjes në Europë rreth 3000 vjet më parë.
  2. Mënyra se si papritmas dhe në mënyrë të shpejtë u ballafaquam me një virus me mundësi të vë në pyetje fatet e popujve dhe kulturave të tyre, na bën të mendojmë edhe për projektet e gjertanishme të institucioneve shkencore dhe të merremi urgjentisht me rivlerësimin e tyre, nëse vërtetë kemi projekte, pasi shumica e institucioneve shkencore bëjnë punën rutinore, pa projekte afatmesme dhe afatgjata dhe për më tej pa projekte me karakter kombëtar e mbarëkombëtar.
  3. Situata të tilla shumë të rrezikshme nëpër të cilat po kalojmë, si dhe mundësitë që ato të përsëriten në përmasa edhe më tragjike, rrezikojnë brenda natës jo vetëm mosha të caktuara po edhe popuj, shtete e kultura të tyre. Shqiptarët, dy shtetet e tyre aspak homogjene, institucionet me nivel të zbehtë komunikimi, si dhe projektet e tyre shkencore shumë herë të përmasave krahinore, mund të rrezikohen si asnjë gjuhë e kulturë tjetër në rajon dhe Europë. Shqiptarët me tri e më shumë besime, me gjuhë standarde “ende të brishtë”, pa enciklopedinë kombëtare, pa thesarin e gjuhës shqipe në disa vëllime, sikur e kanë edhe popujt tjerë, rrezikojnë të gjenden në provincën e zhvillimeve europiane. E popujt, gjuhët dhe kulturat provinciale, rrezikojnë të zhduken brenda natës ashtu sikur janë rrezikuar dhe zhdukur gjuhë me folës edhe më të shumtë se gjuha shqipe.
  4. Përvoja rajonale dhe ndërkombëtare na jep shembuj brilant, të rrezikut afatgjatë, organizimit e mbrojtjes së tyre, por le të sjellim vetëm dy prej tyre. Vetëm një vit pas mbarimit të luftës ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë, në Kroacinë e pavarur leksikografët kroatë arritën ta botojnë vëllimin e parë të Enciklopedisë kroate.

Tregimi i Umberto Ekos për vendosjen e një tabele me vërejtje në një shkretëtirë ku do të varroseshin mbetjet bërthamore në SHBA, janë shembulli më brilant se si duhet të mendojmë ne sot për gjuhën dhe perspektiven e saj. Më 1984, – rrëfen semiotisti dhe intelektuali i lavdishëm i gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, Umberto Eko, – Thomas A. Sebeok, hartoi një raport për Zyrën e Izolimit të Mbeturinave Bërthamore, në lidhje me vendosjen e shenjave gjuhësore në vendin ku do të vendoseshin mbeturinat. Por për ekspertin Thomas A. Sebeok situata nuk ishte kaq e thjeshtë. Vendosja e vërejtjeve gjuhësore nuk konsiderohej kaq e thjeshtë në një tabelë normative. “Qeveria Amerikane kishte zgjedhur disa zona të shkreta në ShBA për të groposur (në disa qindra metra thellësi) mbetjet bërthamore. Nuk bëhej fjalë edhe aq për të mbrojtur zonën nga hyrjet e të pakujdesshme sot, se sa për faktin që mbetjet bërthamore mbeteshin aktive për dhjetë mijë vjet”. (Eko, 2008: 177)

Në këtë proces bashkohej përvoja historike dhe manifestohej vetëdija historike. Në radhë të parë shquhej kujtesa historike. “Kemi parë perandori të mëdha dhe qytetërime të lulëzuara, që kanë perënduar në kohë shumë më të shkurtër, kemi parë se si disa shekuj pas faraonit të fundit hieroglifët egjiptasë ishin bërë të pakuptueshëm”.

Për të vënë më tej në sprovë vetëdijen historike: “Mund të ndodhë që pas 10000 vjetësh toka të ketë pësuar pështjellime të tilla që të banohet nga popuj, të kthyer në kohën e barbarisë por mund të vizitohet nga udhëtarë jashtëtokësorë. Si të njoftohen jashtëtokësorët që zona është e rrezikshme (Eko, 2008: 177)

  1. Cila është vepra që kemi krijuar si institucione shkencore pas Luftës Çlirimtare të Kosovës, në të vërtetë pas Çlirimit të Kosovës dhe cilat janë veprat kolektive kombëtare të cilat janë botuar nga institucionet shkencore dhe akademike në Shqipëri?Nuk po e bëjë këtë pyetje për institucionet me karakter nacional në Maqedoni dhe Mal të Zi.
  2. A nuk është kjo edhe një prej arsyeve pse Akademitë dhe institucionet tona shkencore duhet të marrin detyra më të rëndësishme dhe më parësore, të cilat kanë për synim vjeljen, ruajtjen, sigurimin dhe regjistrimin e manaxhimin e korpuseve gjuhësore në hapësirën shqiptare, të trashëgimisë sonë materiale e shpirtërore (nga njësitë leksikore deri te eposi), përgatitjen urgjente të Enciklopedisë Kombëtare, Fjalorit (thesarit) të plotë të gjuhës shqipe e doracakët e tjerë enciklopedikë të kësaj natyre, me ndihmën e koordinuar të të gjitha institucioneve arsimore, shkencore e kulturore të të gjithë hapësirës shqiptare.
  3. Brezat që do të vinë nuk kanë asnjë arsye të na kuptojnë as të na mirëkuptojnë nëse ne vazhdojmë në këtë mënyrë t’ju lëmë arritje individuale e klanore, arritje institucionale e krahinore. Brezat që do të vijnë nuk do të na kuptojnë kurrë dhe nuk do të na mirëkuptojnë, kur të shohin se si kemi krijuar universitete, fakultete, institute dhe projekte, publike e private, të cilat përsërisin njëra – tjetrën me revista, konferenca jubilare, tema të shteruara ndër dekada, ide e nocione të harruara në hapësirën europiane. Brezat që do të vijnë nuk do t’i kuptojnë projektet tona, nëse prej tyre nesër nuk mund të krijohen tërësi shkencore me interesa kombëtare, dhe me të cilat nuk mund të marrim pjesë në hapësirën e dijes europiane.

III.

Të rikthehemi edhe njëherë te gjendja, trashëgimia gjuhësore dhe perspektiva postglobaliste e saj.

Gjuha shqipe në Shqipëri, përkatësisht në dokumentet zyrtare sigurisht zë një vend të nderuar, por në jetën shoqërore, kulturore, fetare dhe madje akademike, nuk e ka përmasën moderne të studimit të cilën do të duhej ta kishte. Gjuha shqipe në Kosovë jo vetëm nuk e ka vendin e duhur në dokumentet shtetërore për 90% të popullatës e cila e përdorë me shkrim dhe me gojë, po ajo gjithnjë e më shumë po e humb pozitën e saj në dokumentet ndërkombëtare, duke e vënë gjuhën shqipe si gjuhë të dytë, dhe gjithnjë e më shumë po e humb hapësirën e saj të studimit e mësimit të saj dhe me numrin e orëve në institucionet shkollore. I është dashur një kryengritje e armatosur dhe i janë dashur shumë beteja politike kombëtare e ndërkombëtare popullit shqiptar në Maqedoni, që gjuhën shqipe ta bëjnë gjuhë të përmasave shtetërore, sikur është maqedonishtja, dhe kjo luftë vazhdon pikërisht për zbatimin e sajnë raport me institucionet qendrore dhe rajonale. Një shkallë ngritjeje dhe vlerësimi e përdorimi sot gjuha shqipe ka fituar edhe në dokumentet juridike të shtetit të Malit të Zi e Serbi.

Pas rënies së sistemit komunist përmasa e vlerësimit dhe studimit të gjuhës shqipe u zgjerua edhe në hapësirën Europiane e Amerikane, pa humbur asgjë edhe në hapësirën Lindore të Globit, përkundrazi duke e zgjeruar përmbajtjen modeste të vendit të saj që e kishte më parë. Gjuha shqipe sot ligjërohet si dije për nxënie arsimore, përkthimi për nevoja administrative, sigurie e diplomacie, si dhe për kërkime shkencore në kontekstin kontrastiv e krahasues, në shumë shtete dhe në shumë institucione shkencore, por gjuha shqipe, Shqipëria dhe Kosova, ende nuk e kanë vendin e duhur të saj në faqet e botimeve shkencore dhe enciklopedike, si kusht i domosdoshëm për pamjen e saj të sotme në botën globale, dhe si kusht i domosdoshëm për  Shqipërinë dhe Kosovën në diplomacinë, sigurinë, ekonominë dhe perspektiven e përbotshme.

Nëse pamja, përkatësisht vendi i gjuhës shqipe dhe vendi i Shqipërisë dhe Kosovës në botimet enciklopedike kombëtare dhe ndërkombëtare është posaçërisht i zbehtë dhe posaçërisht i varfër e shqetësues, ky sigurisht nuk është vetëm faji i institucioneve dhe editorëve të këtyre botimeve, ky është faji i institucioneve tona shkencore, të cilat ende nuk kanë botuar vëllime enciklopedike në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja, që botuesve nëpër botë tu ofrojnë informacione të sakta dhe të plota.

A nuk është kjo një prej arsyeve pse gjuha shqipe të mbrohet edhe me ligj! A nuk është kjo edhe një prej arsyeve pse obligimet ndaj gjuhës shqipe, njohjes, dokumentimit dhe obligimeve që kemi ndaj saj t’i bëjmë të ligjshme dhe të obligueshme për institucionet tona kërkimore dhe shkencore.

Gjuha shqipe dhe korpusi i fjalësit të saj, ashtu si edhe atdheu ynë, kufijtë e tij, qytetarët dhe institucionet, janë vlerat më domethënëse që historikisht ka trashëguar populli shqiptar. Prandaj përdorimi i saj, sa më pak i cenueshëm nga gjuhët dhe fjalët e huaja, është detyrë jona dhe obligim për ta bartur atë te trashëgimtarët tanë.

Në Republikën e Kosovës dy dekadat e fundit janë miratuar nga institucionet ndërkombëtare dhe shtetërore shumë ligje dhe rregullore që të bëjnë të mendosh sikur i kemi kryer të gjitha punët dhe sikur të mos ishim shteti që ka më së paku ligje në rajon dhe Europë. Në Kosovë mund të gjesh rregullore për mbrojtjen e kafshëve nga rrahja e barinjve (Komuna e Prizrenit)  dhe Ligj për bletari (shih, Kuvendi i Kosovës, Ligji Nr. 02/L-111), por gjuhëtarët e Kosovës prej shumë kohësh kapin kokën me të dy duart, duke dialoguar e duke monologuar në televizionet dhe mediat e Kosovës në lidhje me propozimin e ligjit për mbrojtjen e shqipes standarde:

Çka do të shkruajmë në atë ligj?

Si do të duket ai ligj?

Kush do të dënohet me atë ligj?

Si do të flasim pas miratimit të atij ligji apo do të kthehemi në një popull memec!

Si do të flasim në institucione, në kafene, në rrugë e sidomos në shtëpi?

A do të guxojmë të ligjërojmë ne gjuhëtarët në universitete e në shkolla me shqipen standarde apo me gjuhën e nanës!

A do të arrestohemi në rrugë nga policia tek flasim me kolegët në dialekt, në variant, në të vërtet në slleng!

A do të na përgjojnë spiunët e gjuhës pranë dritares tek u themi nënave tona nanëe jo nënë!

Kuku nanë, kuku nanë, kuku nanë!

A nuk është kjo arsyeja pse gjuha shqipe si dhe atdheu e kufijtë e tij, duhet mbrojtur me ligj!

Me gjuhën standarde, në të vërtetë në shqipen standarde, populli shqiptar kudo dhe kurdo sot përshkruan të drejtat dhe obligimet e tij qytetare, kushtetuese dhe ligjore ndaj pasurisë materiale që e rrethon dhe ndaj pasurisë shpirtërore me të cilën mbahet përballë të tjerëve. Me gjuhën standarde shqiptarët përshkruajnë ligjet dhe Komentarin e tyre, dokumentet e marrëveshjeve ekonomike, dokumentet e marrëveshjeve diplomatike dhe të sigurisë kombëtare e globale, vademekumët mjekësorë etj.

A nuk do të kërkonte ligji për gjuhën edhe zbatimin e tyre me terminologji shqipe e nocione të kuptueshme së pari për institucionet shtetërore dhe popullatën që është e obligueshme ta zbatojë marrëveshjen, në vend se të nënshkruajnë marrëveshje të kësaj natyre fillimisht në gjuhën angleze në Bruksel, në mënyrë që pas përkthimit të saj në Prishtinë, të dalë një mesazh i tjetërsuar dhe i dëmshëm për institucionet tona shtetërore.

A nuk do të kërkohej pastaj që institucionet tona të pajisen me Fjalorë bashkëkohorë terminologjikë të fushave përkatëse dhe administrata jonë të arsimohej në mënyrë komplementare me dijet bashkëkohore në fushë të kulturës gjuhësore, dhe në raport me kolegët e tyre europianë në fushë të dijes bashkëkohore në fushat përkatëse.

A nuk do të kërkohej prej institucioneve arsimore që të përgatisnin programe profesionale për kulturën e gjuhës standarde dhe nivelin profesional të ligjërimit dhe përdorimit me shkrim të stilit administrativ, juridik, tekniko-shkencor, mjekësor, politik e diplomatik, prej të cilës do të krijohej edhe një dokumentacion i qartë dhe kredibil i pasurisë sonë private dhe publike.

A nuk janë këto vetëm disa prej arsyeve pse përdorimi i standardit në institucionet shtetërore dhe kombëtare duhet mbrojtur me ligj!

Gjuha shqipe është përbërësi më i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kombëtare, e trashëgimia jonë është e mbrojtur me ligj. Në Kosovë gjenden shumë institucione kryesisht religjioze dhe shumë objekte të trashëgimisë së antikitetit ilir, objekte të trashëgimisë bizantine, të trashëgimisë orientale e oksidentale, mesjetare e të kohës së re, të cilat janë të mbrojtura me ligje vendore dhe madje ndërkombëtare. Për shkak se ato institucione religjioze apo kulturore nuk i kemi identifikuar, përkatësisht emërtuar me gjuhën a terminologjinë e duhur, shumë prej tyre në dokumentet e administratës sonë dhe në dokumentet e diplomacisë, përkatësisht trashëgimisë ndërkombëtare kanë marrë konotacione të ndryshme dhe madje kanë përfituar statuse të ndryshme, sikur ato të mos ishin objekte të trashëgimisë sonë, por e trashëgimisë së fqinjëve, përkatësisht popujve të tjerë, sado shqiptarët shumë herë ato i konsiderojnë objekte të kultit të tyre pagan dhe objekte të një periudhe të largët të trashëgimisë europiane të tyre. Një gjuhë historike sikur është gjuha shqipe dhe një gjuhë standarde e përdorur drejt me termat e nocionet shkencore që i zotëron sikur është gjuha shqipe, e përdorur drejt dhe saktë në komunikimin ndërkombëtar nuk do t’i linte këto objekte jashtë sistemit tonë, përkatësisht jashtë thesarit tonë kulturor me përmasa sa kombëtare aq edhe ballkanike, europiane e globale.

Europa sot në një mënyrë përfaqëson një entitet transnacional dhe mbinacional, përcjellur nga shumësi të rëndësishme vlerash, të projektuara nga etërit e kësaj ideje, filozofët, shkrimtarët e intelektualët anglezë, gjermanë, francezë, italianë, spanjollë etj. Ndërsa psikologu, semiotisti dhe indoeuropianisti rus V.V. Ivanov këtij parimi të njohur i jepte përmasa universale: “Çdo gjuhë është një gjedhe e universit, një sistem semiotik i të kuptuarit të botës, dhe nëse kemi 4000 mënyra të ndryshme për të përshkruar botën, kjo na bënë më të pasur. Duhet të përkujdesemi për ruajtjen e gjuhëve ashtu siç përkujdesemi për ekologjinë. (V. V. Ivanov, Recontructing the Past, 1992: 4, sipas Eko, 2008: 328)

A nuk është kjo arsyeja e domosdoshme pse gjuha standarde e komunikimit tonë me shkrim dhe me gojë në institucionet tona shtetërore, arsimore dhe publike duhet të mbrohet me ligj!

Zhvillimet e fundit në fushë të teknologjisë kanë bërë që të zhvillohen më shumë dhe më shpejtë disa fusha të gjuhësisë. Lëvizjet globale, emigrimi dhe turizmi, bashkëpunimi tregtar dhe kulturor ka bërë që në plan të parë të dalë zhvillimi i leksikografisë dy e më shumë gjuhësore dhe mësimdhënia e gjuhëve të mëdha, sikur është gjuha angleze, gjermane, italiane dhe franceze e spanjolle. Shqipja hyn ndër ato gjuhë që dekadat e fundit ka bërë shumë dhe ka pasur një komunikim e zhvillim të dendur në këto dy fusha, por krahas zhvillimit të teksteve e doracakëve për mësimdhënien e gjuhëve të huaja nga shqiptarët, dhe krahas zhvillimit të doracakëve dygjuhësorë e shumëgjuhësorë të shqipes me gjuhët tjera dhe anasjelltas, koha është të zhvillojmë dhe standardizojmë përgatitjen dhe  botimin e doracakëve për mësimin e shqipes standarde për brezin e ri të emigrantëve shqiptarë dhe përgatitjen dhe botimin e fjalorëve terminologjikë të fushave të ndryshme për administratën shtetërore të shteteve shqiptare dhe institucionet arsimore të shkollave shqipe.

Zhvillimet e reja në vend dhe në botë diktojnë jo vetëm ekonomizim fjalësh,por edhe ekonomizim tekstesh, e kjo do të thotë tekste të shkarkuara sa më shumë nga karakteri akademik i njohjes dhe i të nxënit të gjuhës, të përshtatura për brezin e ri. Me logjikën e fajit të përhershëm ndaj sistemit politik që mbizotëronte në periudhën e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe(1972), me logjikën e fajësimit të shqipes standarde, si sistem i pamundshëm i të nxënit, ne mund të arrijmë vetëm tek koncepti i Çomskit për ndërtimin e “gjuhëve të panxëna”, gjuhë që nuk mund të kapen nga aftësia gjuhësore, sepse në çdo rast kjo e fundit do të bënte zgjidhje të gabuara(Shih, Çomski, 2007: 150). Brezi i ri duhet të mësojë gjuhën që i duhet dhe jo gjuhën që duhet ta dijë. Kjo do të thotë një drejtshkrim të ekonomizuar për nxënësit, studentët, qytetarët. Siç do të shprehej Martine, “Ligji, sa më pak mundim për një qëllim të caktuar vlen edhe për gjuhën” (Martine, 2020: 149). Drejtshkrimi i sotëm i gjuhës shqipe është botuar vetëm për lektorët dhe specialistët e gjuhës, por jo edhe variante të tjera për nxënësit, mësuesit, specialistët e dijeve jogjuhësore”.

Le t’i referohemi së fundi një përcaktimi të Profesor Shefki Sejdiut, mbi raportet e gjuhës shqipe me zhvillimet globale në fillimet e tij: “zhvillimi i hovshëm i shkencës dhe teknikës e krijimi i marrëdhënieve të reja shoqërore në plan kombëtar e ndërkombëtar, bënë që jeta dhe sjelljet e nje­riut të ndërrojnë kualitativisht. U krijuan një botë e ha­pur dhe shoqëri të hapura, ku komunikimi midis njerëzve, po­pujve dhe kulturave u bë i domosdoshëm, andaj edhe gjuha si mjet komunikimi par excellence do të duhej t’i përcillte këto zhvillime shoqërore dhe, konform di­na­mi­kës së tyre, të gjente forma shprehëse për ta pasqyruar në më­nyrë sa më të përshtatshme e racionale këtë realitet. Kjo shpre­hje e këtij realiteti ka mundur të bëhet efikase vetëm pë­r­mes proceseve normizuese e standardizuese të sis­te­me­ve, të nënsistemeve e të strukturave gjuhësore mbi baza të pë­rvojës dhe kërkesave të njeriut. Këto baza, mbi të cilat nje­riu e mbështet përvojën e vet janë natyra, ku­l­tu­ra dhe civilizimi, entitete te të cilat vërehen raporte re­lacionale, që, shikuar nga aspekti kognitivo-kontekstual dhe semantiko-referencial, do të përkonin me natyroren, ku­lturoren dhe civilizuesen, kurse nga aspekti sistemor-komunikativ do të përkonin me gjuhën /në kuptimin so­sy­rian/, me gjuhën letrare dhe gjuhën standa­r­de, sisteme që shprehin shkallë të ndryshme normativite­ti. (Sejdiu, 2002: 107-108). Profesor Sejdiu, me këto parime në të vërtetë u përgjigjej koncepteve të psikologut zviceran Zhan Piazhe, për të cilin “gjuha është një institucion kolektiv” (Piazhe, 1979: 278)

Kryeredaktori i revistës franceze Esprit (Fryma), dhe personalitet me ndikim në lëvizjen paneuropiane, Zhan Mari Domanek në prag të përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së sistemit komunist, pati caktuar dhjetë parime me të cilat duhej ndikuar kultura franceze në kulturën europiane, prej të cilave pesë të parat i takonin gjuhës dhe mësimdhënies. A nuk janë konceptet e tij një model i mirë edhe për ndërtimin e koncepteve dhe parimeve se si të mbrojmë  gjuhën shqipe brenda rrethanave të reja të krijuara në këtë periudhë pasglobaliste. (Domanek, 1990: 145-146)

Bartës të këtyre dy projekteve do të mund të ishin Instituti i Librit Shkollor, një institucion i formatit të madh kombëtar, rëndësia e të cilit sot është më e madhe se rëndësia e secilit prej Universiteteve Publike që kemi hapur nga Gjirokastra deri në Mitrovicë, prandaj cilido prej tyre po të shndërrohej në Institutin e Librit Shkollor do të kishte funksionin kombëtar më të rëndësishëm se Universiteti i qenë aty. Po kështu mund të thuhet edhe për Qendrën e Enciklopedisë a Leksikografisë Kombëtare, e cila për nga rëndësia mund do të tejkalonte interesat dhe vlerat kombëtare të dy akademive dhe instituteve albanologjike që kemi në Tiranë e në Prishtinë, Shkodër, Shkup etj.

Këtu, në Qendrën e Enciklopedisë a Leksikografisë Kombëtare, do ta kishte vendin edhe Thesari i trashëgimisë gjuhësore, materiale e shpirtërore të popullit shqiptar dhe Komisioni i Mbrojtjes së Shqipes Standarde me ligj.

Dhe, a nuk është kjo një prej arsyeve që ligji për gjuhën të miratohet e të funksionalizohet në të mirë të trashëgimisë së popullit shqiptar e në të mirë të vetë gjuhës si thesar yni i vetëm.

Prishtinë, më 15.5.2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Hykmete Bajrami,…