Gjendja reale e ekonomisë: Rritje e varfërisë, jo e zhvillimit

02 gusht 2025 | 12:08

Shkruan: Besart Dreshaj

Pavarësisht deklaratave optimiste nga Ministria e Financave për rritje të qarkullimit të bizneseve, realiteti ekonomik në Kosovë është krejtësisht ndryshe dhe shqetësues.

Sektori privat po përballet me:

• Rritje të çmimit të energjisë elektrike, që ka goditur direkt prodhuesit dhe ndërmarrjet.

Bizneset, sidomos ato prodhuese , po përballen me një barrë të rëndë financiare për shkak të tarifave të shtuara të energjisë. Kjo rritje ka ndikuar negativisht në kostot e operimit dhe në qëndrueshmërinë e bizneseve vendore.

• Rënie të eksportit, që tregon një dobësim të kapaciteteve prodhuese dhe konkurruese të vendit, duke thelluar varësinë nga ekonomitë e jashtme dhe përkeqësuar deficitin tregtar.

Të dhënat e fundit tregojnë një rënie të eksporteve, që reflekton dobësimin e aftësisë konkurruese të ekonomisë së Kosovës. Në të njëjtën kohë, importet nga Serbia janë rritur me mbi 111%, një fakt që ngre shqetësime të thella jo vetëm ekonomike, por edhe politike. Kjo rritje ka kontribuar në thellimin e deficitit tregtar, duke e bërë ekonominë edhe më të varur nga tregjet e jashtme.

• Humbje të besimit për të investuar, për shkak të mungesës së stabilitetit politike e pastaj ekonomik.

Pasiguri për investime- Në vend të një klime të favorshme për investitorë, bizneset përballen me mungesë të parashikueshmërisë dhe paqartësi të vazhdueshme vendimeve dhe rregullative. Kjo situatë ka ndikuar në frenimin e investimeve vendore dhe të huaja, duke e bërë të vështirë çdo përpjekje për zhvillim afatgjatë.

Rritja e qarkullimit: pasqyrim i zhvillimit apo i krizës?

Në këto kushte, rritja e qarkullimit të bizneseve nuk është tregues i shëndetit ekonomik, por pasojë e rritjes së çmimeve, sidomos për mallrat bazike me kërkesë joelastike. Pra, qytetarët dhe bizneset po paguajnë më shumë për më pak.

Prandaj, të flasësh për “performancë të mirë ekonomike” në këtë kontekst është shkëputje nga realiteti dhe një formë e maskimit të gjendjes së rënduar që po përjetojnë qytetarët dhe sipërmarrësit në Kosovë.

Kush përfiton nga kjo situatë?

Kryesisht kompanitë që merren me tregtinë e energjisë — të lidhura shpesh me individë të afërt me pushtetin aktual.

Përfundim:

Ekonomia nuk ndërtohet me deklarata, por me politika të qëndrueshme, të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Në vend të fokusit në statistika të izoluara që nuk tregojnë të vërtetën e plotë, qeveria duhet të përqendrohet në:

• Lehtësimin e barrës për bizneset e vogla dhe të mesme,

• Stabilitetin e tregut të energjisë,

• Mbështetjen për eksportuesit dhe prodhimin vendor,

• Krijimin e kushteve të favorshme për investime të qëndrueshme.

Kosova ka potencial të madh, por ky potencial nuk mund të shfrytëzohet pa një ekonomi që reflekton realitetin dhe i shërben interesit të qytetarëve, jo të grupeve të privilegjuara!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati kosovar, Ardian Bajraktari, i cili është angazhuar në mbrojtje…