Gjeneral Agim Çeku ngushëllon Calin me rastin e ndarjes nga jeta të babait, Jahë Mustafa

25 dhjetor 2025 | 23:57

Gjenerali Agim Çeku ka shprehur ngushëllimet e tij më të thella për mikun e tij, Sali Mustafa – Cali, me rastin e ndarjes nga jeta të babait të tij, Jahë Mustafa.

“Bashkëndjej dhimbjen me mikun tim Calin për vdekjen e babait të tij, Jahë, siç e thërriste ai, dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për të dhe për të gjithë familjen Mustafa,” ka deklaruar Gjenerali Çeku.

Ai thekson se humbja e prindit është një dhimbje e madhe, e cila bëhet edhe më e rëndë kur njeriu nuk ka mundësi të jetë pranë tij në momentet e fundit të jetës.

“Kam pasur fatin ta njoh nga afër babën Jahë, këtë burrë fisnik që nuk u ligështua as nga barra e rëndë e jetës dhe as nga sëmundja. Ai e përballoi gjithçka me burrëri, duke mbajtur me krenari dhimbjen për djalin e tij Calin, i cili më shumë vite të jetës i kaloi në burgjet e Serbisë dhe të Hagës sesa pranë familjes dhe babait,” shprehet Çeku.

Sipas tij, ky është fati i luftëtarëve si Sali Mustafa, i cili tërë jetën ka luftuar kundër padrejtësive. Moslejimi i tij për të qenë pranë babait në orët e fundit të jetës, Çeku e cilëson si një padrejtësi të radhës që i është bërë atij.

“Megjithatë, besoj fort se Cali do të ngrihet edhe mbi këtë padrejtësi dhe do të gjejë forcën për ta përballuar dhimbjen për babain, i cili u largua nga kjo botë me mallin për ta takuar edhe një herë të fundit,” përfundon mesazhi i Gjeneral Agim Çekut.

Në fund, ai shpreh edhe një herë ngushëllimet më të thella për Sali Mustafën – Calin dhe për gjithë familjen Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës,…