Gjeneral Brahimaj në mbështetje të bashkëluftëtarit, politikanit Ali Ahmeti

19 prill 2024 | 13:25

Më 24 prill mbahen zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq ato parlamentare më 8 maj.

BDI-ja e udhëhequr nga Ali Ahmeti në zgjedhjet presidenciale garon me kandidatin e saj për president Bujar Osmanin.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish komandanti i UÇK-së, Lahi Brahimaj, përmes një postimi në “Facebook” u ka bërë thirrje shqiptarëve në Maqedoni të votojnë për partinë e Ali Ahmetit BDI-në.

Brahimaj ka thënë se Ali Ahmeti nuk blihet, nuk frikësohet dhe mbi të gjitha për asnjë çmim nuk mashtron dhe për asnjë çmim nuk u shërben atyre që historikisht luftuan për zhbërjen e kombit tonë.

“Të dashur bashkëluftëtar të trojeve shqiptare të Maqedonisë Veriore. Ne bashkë jemi rritur me idetë më sublime të popullit tonë. Kemi rrugëtuar bashkë në rrugët më të vështira që pjesëtarë të një kombi mund të rrugëtojnë . Në këtë rrugëtim kemi mbijetuar duke mos besuar se do të mbijetojmë dhe kemi parë tmerrin dhe terrorin atëherë kur na masakroheshin familjet tona dhe bashkëkombësit tanë dhe kemi parë tmerrin duke na u vrarë shokët dhe bashkëluftëtarët tonë nëpër duar tona. Lufta jonë për atë se kush jemi nuk ka përfunduar ajo vetëm është ndryshuar. Ne vazhdojmë të besojmë në idealet tona të rinisë që janë ideale historike të kombit tonë pavarësisht se sot ato në mënyrë perfide po sfidohen. Ali Ahmetin e njoh që nga koha kur UÇK ishte një celulë prej disa vetash. UÇK u rritë, u zhvillua dhe fitoj e Aliu në këtë proces udhëhoqi, luftoj dhe kurrë nuk u lakua. Ali Ahmeti nuk blihet, nuk frikësohet dhe mbi të gjitha për asnjë çmim nuk mashtron dhe për asnjë çmim nuk u shërben atyre që historikisht luftuan për zhbërjen e kombit tonë”, ka shkruar gjenerali Brahimaj.

Ai ka thënë se Ali Ahmeti është një garanci se do të jeton dhe do të jetësohet amaneti i gjithë atyre që dhanë jetën jo vetëm në Maqedoni por në të gjitha trojet shqiptare.

“Ali Ahmeti garancë se kurrë populli Shqiptarë në Maqedoni nuk do të jetë viktimë e mashtrimit, propagandës dhe ideve të fshehura anti shqiptare. Ali Ahmeti është simbol i qëndrueshmërisë sakrificës jo vetëm të shqiptarëve të Maqedonisë por shqiptarëve ku do që janë. Kur fiton Ali Ahmeti fiton Shqiptaria”, ka shkruar Brahimaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, në 11-vjetorin e…