Gjeneralët pijnë kafen e mëngjesit bashkë, duke kujtuar 31-vjetorin e sjelljes së armës së parë nga Zvicra për UÇK-në në Jabllanicë
Gjenerali Lahi Brahimaj, i cili është edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, ka ndarë një fotografi me gjeneralin tjetër të UÇK-së, Nazmi Brahimajn, i cili është edhe vëllai i tij, duke kujtuar 31-vjetorin e sjelljes së parë të armëve për UÇK-në në Jabllanicë të Gjakovës. Sipas Brahimajt, këto armë ishin sjellë nga Zvicra nga Nazmiu, për të armatosur njësitet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Krenar pa masë me vëllaun tim dhe rrugën e tij për lirinë e Kosovës!”, ka shkruar gjenerali Lahi Brahimaj në postimin e tij në rrjete sociale.
Në postimin e plotë, ai ka shkruar:
“Kafen e mëngjesit me vëllaun Nazmi – njeriun që 31 vite më parë solli armët e para të UÇK-së nga Zvicra në Jabllanicë të Gjakovës, për njësitet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në atë njësi ishin emra që sot shkruhen me nder – heronjtë: Luan Haradinaj, Myrte e Sadri Zeneli, Naser Brahimaj – si dhe bashkëluftëtarët: Selim Ademi, Hajdar Ahmeti, Xhevat Zeneli, Sokol Smajli, Hysen e Lahi Brahimaj. Gjatë luftës Nazmiu ishte zëvendëskomandant i Zonës së Dukagjinit, më pas komandant i Zonës së Tretë Mbrojtëse në TMK, dhe sot krenarisht pjesë e historisë së FSK-së. Krenar pa masë me vëllaun tim dhe rrugën e tij për lirinë e Kosovës!”



