
Gjenerali Berisha thotë se kjo qeveri po keqpërdor çdo mekanizëm, po tenton edhe FSK-në
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, gjenerali në pension, Hisen Berisha, ka komentuar ngjarjen e sotme në Liqenin e Ujmanit, ku një 33-vjecar u gjet pa shenja jetë, por që ky rast u keqpërdor politikisht nga LV-ja, e cila tha se “FSK-ja për herë të parë si ushtri në veri të vendit”.
Berisha në një intervistë për “Breaking” në Top Channel, ka thënë se kjo është një tendencë e radhës e partisë në pushtet për të përfituar në çdo fatkeqësi, e duke keqpërdorur çdo mekanizëm, në këtë rast edhe FSK-në.
“Tendenca për të përfituar në çdo fatkeqësi, qoftë edhe kur luhet me jetë njerëzish për të ngritur ca poena politike atje, për një retorikë atje të karakterit më shumë të nxitjes së militantizmit të brendshëm partiak. Po keqpërdoret çdo mekanizëm, dhe segmenti i fundit që ka ngelur ende pa u deligjitimuar tërësisht, krahas Prokurorisë Speciale d.m.th ka mbetur edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila edhe pse është degraduar në masë në aspektin e kushteve dhe të zhvillimit të brendshëm, tani po tentohet që ajo të dëmtohet edhe në aspektin e bashkëpunimit të pashmangshëm dhe të domosdoshëm që ka me praninë ushtarake ndërkombëtare brenda vendit”, ka thënë Berisha.
“Kjo qeveri që është sot ka hyrë në politikë me dy viktima, nëse i mbani në mend me ato përrallat e tyre jo UNMIK-ut, jo EULEX… Arben Gjeladini dhe Mon Balaj kanë qenë dy viktimat e protestave të motivuara gabimisht, sepse gjithçka që ishte zhvilluar më tutje ishte pavarësi dhe shtet. Pastaj për të hyrë në qeverisje erdhi edhe me dy viktima të radhës që janë vëllezërit Dehari”, ka pohuar Berisha.
Berisha ka folur edhe për hapjen e urave të reja.
“Çdo tendencë për të nderuar ura, për të depërtuar trupat, ku ta di unë, është retorikë sa për efekte elektorale dhe mobilizim të militantizmit, sepse nuk mund të bëhet ndryshe pa u koordinuar me KFOR-in”, ka theksuar gjenerali Berisha.
Ai ka thënë se FSK-ja e ka mandatin me ligj të miratuar në dhjetor të vitit 2018 ku i jepet misioni përmes katër fushave: 1. Mbrojtja e integritetit territorial që nënkupton nxjerrjen e forcave në vijat e frontit kur ka invazion territorial; 2. Mbështetja ushtarake e autoriteteve civile që nënkupton reagimin në emergjenca që shkaktohen nga natyra apo njeriu, pra siç është edhe ky rasti i kërkim-shpëtimit; 3. Fusha e operacioneve ndërkombëtare që përfshinë operacionet e mbështetjes së paqes; 4. Përgjigjet në rastet e fatkeqësive.