Gjenerali Çeku me lot në sy rrëfen kthimin në fshatin e tij pas lụftës: Nuk gjeta nënën as babin, shtëpia ku kisha lindur ishte bërë rrafsh me tokë

20 dhjetor 2025 | 10:37

Gjenerali Agim Çeku, ka rrëfyer një nga momentet më të dhimbshme dhe më emocionale të jetës së tij – kthimin në fshatin e lindjes pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Me zë duke u dridhur dhe lot në sy, ai ka ndarë për herë të parë publikisht përballjen me humbjet familjare dhe shkatërrimin që gjeti pas luftës.

“E kujtoj ditën e parë kur kam ardhë në fshatin tim. Nëntë vite s’kam pasur kurrfarë kontakte me familjen time. Thashë jemi familje e madhe, familje e ngushtë. Edhe kur kam ardhë pasi u kryen bisedimet me transformim e me hajt shkoj t’i shohë, e kam habit rrugën, gati kur kam hy në Pejë e kam pa që e kam kalu.”
Ai ka treguar se gjatë mungesës së tij shumëçka kishte ndryshuar në mënyrë tragjike.

“Ndërkohë më ka vdekë nana, mandej mu vra baba në luftë, shpija na u kall, d.m.th të kallta krejt, edhe kur jom hi në fshat ajo pamja kur s’i gjeta prindërit aty.”

Çeku ka rrëfyer se pas nëntë vitesh mungesë, fshati dhe familja nuk ishin më si dikur.

“S’isha kanë që 9 vjet, ndërkohë ishin martu vëllezërit e motrat, aty nëpër kushëri na jemi krejt, na Çekt në Qyshk jetojmë bashkë në një pjesë të fshatit. Edhe gjeneratë e re ishin rrit, disa që kanë qenë fëmijë prej kur i mbajsha në mend.”

Ai e ka përshkruar atë ditë si jashtëzakonisht të rëndë emocionalisht, por edhe si moment vendimtar për të parë përpara.

“Ka qenë një ditë pak e… u mërzita shumë, por atëherë ju thashë vëllezërve të mi: e kem paguar një çmim. Thashë, prej sot fillon jeta e re, Kosova e re, krejt këto do t’i rindërtojmë na. Jo veç shtëpitë tona, por edhe Kosovën kryt përpjet dhe të mendojmë një të ardhme më të mirë.”

Gjenerali Çeku ka përshkruar edhe pamjen e fshatit pas luftës, që sipas tij dukej thuajse i panjohur.

“Po ka qenë shumë interesant kur krejt gjithçka kishte ndryshu. Gjatë tre muajve të luftës s’ka pasë fare lëvizje, ka qenë pranvera, rrugë të mbyllura nga therrat, ishte rrit bari, asgjë e punume, një farë situate sikur kam ardhë s’di ku.”

Ai ka folur për ndjenjat e përziera që e shoqëruan atë ditë.

“E kam pasë shumë një ndjenjë të përzier. Edhe u mërzita, por edhe u gëzova që më në fund erdha në fshatin tim, në shtëpinë time, kur e pashë shtëpinë ku kam lind të bërë rrafsh, kulmi i djegur, mungesa e prindërve.”

Në fund, Çeku e ka përmbledhur përvojën e luftës dhe pasluftës me disa fjalë që, sipas tij, përmbledhin gjithçka.

“Lufta i ka të tilla. Emocion, dhimbje dhe krenari.”

Na ndiqni:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Kadri Bytyqi, ka…