Gjenerali Clark nuk është thjesht dëshmitar, ai është simbol i së vërtetës historik të popullit të Kosovës
Njohësi i proceseve politike në vend, Ilir Ibrahimi, ka thënë se edhe në moshën e tij të shtyrë, gjenerali Clark filloi dëshminë e tij me një qartësi dhe vendosmëri n Gjykatën Speciale.
“Si një ndër gjeneralët më të dekoruar në historinë e ushtrisë amerikane, dhe dikur kandidat për president, ai është dëshmia më e gjallë e aleancës së pathyeshme midis botës perëndimore dhe atdhetarëve të Kosovës, të bashkuar rreth UÇK-së për t’i ndalur mizoritë e xhelatit të Ballkanit. Ndërkohë që prokuroria ka sjellë figura pa asnjë kredibilitet, madje shpesh qesharak, duke tentuar të ndërtojë narrativë të pabazë”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Ibrahimi ka theksuar se në anën tjetër, mbrojtja ka sjellë në gjykatë zëra të rëndësishëm të administratës amerikane, njerëz që në kohën vendimtare udhëhiqnin politika të nivelit më të lartë.
“Përballë këtyre dëshmive të pakontestueshme, prokuroria ka zgjedhur lojën më të ulët duke sulmuar integritetin e këtyre figurave historike. Nuk ka dyshim se i njëjti sulm do të tentohet edhe ndaj gjeneralit Clark, duke u përpjekur të shfrytëzohet madje edhe mosha e tij e shtyrë për ta vënë në lajthitje. Mirëpo, mos të harrojmë se prania e përfaqësueses së ambasadës amerikane në këto seanca është një mesazh i qartë. Ajo nuk do të lejojë në asnjë rrethanë përdhosjen e një figure të madhe, një njeriu që me vendimet e tij ndryshoi rrjedhën e historisë dhe shpëtoi mijëra jetë”.
“Gjenerali Clark nuk është thjesht dëshmitar, ai është simbol i së vërtetës historike, i drejtësisë dhe i aleancës së përjetshme me popullin e Kosovës”, ka shkruar Ibrahimi.



