Gjenerali Hisen Berisha iu bashkua protestës së studentëve në Gjakovë në mbështetje të çlirimtarëve në Hagë
Gjenerali dhe ish deputeti Hisen Berisha përmes një postimi në “Facebook” ka njoftuar se sot ishte pjesë e protestës së studentëve të Universitetit “Fehmi Again” në Gjakovë në mbështetje të çlirimtarëve në Hagë.
“Sot, në Gjakovë, pamë një shembull domethënës të ndërgjegjes qytetare dhe akademike. Iniciativa Studentore “Fehmi Agani” e Universitetit të Gjakovës me të njëjtin emër, organizoi një marsh protestues dhe një takim solidarizues me liderët e UÇK-së dhe të shtetit, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, e të tjerët, duke kërkuar drejtësi të plotë për luftën çlirimtare në Dhomat e Specializuara në Hagë”, ka shkruar ai.
Berisha ka thënë se ky mobilizim i studentëve, nën shi, me flamuj kombëtarë e të UÇK-së, dhe me vendosmëri të palëkundur, është një mesazh i qartë se rinia e Kosovës nuk e harron historinë, sakrificën dhe themelin e lirisë.
“Në këtë marsh u reflektua trashëgimia e gjeneratave studentore që kanë qenë gjithmonë promotore të lëvizjeve të mëdha për identitet, dinjitet dhe autenticitet kombëtar. Në këtë frymë, është koha që të gjitha organizatat studentore në Universitetet dhe Kolegjet e Kosovës të bashkohen në të njëjtën kauzë morale dhe qytetare, mbrojtjen e vlerave të luftës së drejtë të UÇK-së dhe të drejtës për një proces të paanshëm e dinjitoz”, ka shkruar Berisha.

Ai ka theksuar se zëri i studentëve ka peshë, dhe sipas tij kur ky zë rezonon nga Prishtina në Gjakovë, nga Mitrovica në Prizren, e nga Gjilani në Pejë e deri në çdo qendër akademike, ai kthehet në forcë shoqërore që shtyn përpara të vërtetën dhe drejtësinë.
“Rinia ka qenë gjithmonë ndërgjegjja e vendit. Sot, ajo tregoi se është gati ta mbrojë atë që përbën themelin e Republikës sonë. Prandaj, çdo organizatë studentore duhet të ndihet e thirrur: të kontribuojë, të ngrihet dhe të bëhet pjesë e kësaj lëvizjeje që nuk mbron vetëm individë, por parimin, sakrificën dhe të vërtetën e luftës së popullit tonë. Kosova ka nevojë për zërin tuaj. Dhe sot, ai zë u dëgjua fuqishëm nga Gjakova”, ka shkruar ish deputeti Berisha.




