Gjenerali Hisen Berisha mban ligjëratë para oficerëve të Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë
Gjenerali në pension, ish deputeti, Hisen Brisha, ka mbajtur një ligjëratë para oficerëve të Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me tematikë nga procesi i vendimmarrjes për luftë, operacionet luftarake dhe roli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për pavarësi dhe çlirim nga regjimi serb.
Ligjërata u mbajt në kuadër të programit mësimor, duke ndërthurur analizën teorike me përvojën praktike nga lufta e viteve 1998-1999.
“Në qendër të trajtimit ishte një nga momentet më vendimtare të historisë sonë moderne, Beteja e Koshares, si pikë kthese në doktrinën operacionale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në rrjedhën strategjike të luftës për lirim. Kjo ndërthurje mes dijes akademike dhe përvojës reale është thelbësore për formimin e një oficeri që nuk mbetet rob i skemave, por bëhet zot i situatës. Fitorja nuk i përket atij që ndjek verbërisht skemat teorike, por atij që di t’i përshtatë ato me realitetin dinamik të fushëbetejës. Edukimi ushtarak, trajnimi për mision, disiplina dhe vetëbesimi profesional janë shtylla të domosdoshme, por ato marrin vlerë reale vetëm kur kombinohen me fleksibilitet, vendimmarrje të shpejtë dhe guxim për të vepruar jashtë shablloneve”, ka thënë Berisha.
Ai ka theksuar se faktorët kyç që bëjnë diferencën mes fitores dhe humbjes në luftës, janë përvojat e drejtpërdrejta nga betejat dhe kuptimi i rëndësisë në fleksibilitetit në artin ushtarak, ngase realiteti i fushëbetejës shpesh na përplas me teorinë, meqë fushëbeteja ndryshon çdo minutë.
“Historia ushtarake dëshmon se asnjë plan nuk i mbijeton plotësisht kontaktit me armikun. Prandaj, fleksibiliteti, autonomia në vendimmarrje dhe leximi i drejtë i terrenit janë elementë vendimtarë. Disiplina nuk është vetëm bindje ndaj urdhrave. Ajo është aftësia për të ruajtur rendin, kohezionin moral dhe fokusin operacional në situata ekstreme, aty ku presioni psikologjik është po aq i fortë sa zjarri armik. Ushtritë janë të mëdha kur fitojnë. Por janë të vogla kur humbin. Numri nuk ka rëndësi. UÇK ka fituar!”, ka thënë Berisha.
Në ketë kontekst, ai ka thënë se teoritë zhvillimore ushtarake apo doktrinat e luftimit, marrin kuptim kur testohen nga përvojat direkte në fushëbetejë dhe mësimet e mësuara. Beteja e Koshares nuk ishte vetëm një fitore taktike në terren, por një zhvillim me ndikim të drejtpërdrejtë operacional dhe strategjik.
“Hapja e frontit dhe heqja me forcën e armës të vijës kufitare, ndryshoi raportin operacional me forcat serbe, duke i detyruar ato të zhvendosin kapacitete dhe armatime të rënda në zonë. Kjo ekspozoi objektiva të rëndësishme ushtarake, të cilat më pas u bënë pjesë e goditjeve ajrore të Aleancës Veriatlantike, duke rritur efektin e ndërhyrjes së NATO-s në thellësi të sistemit ushtarak serb. Në këtë kuptim, Kosharja ishte jo vetëm simbol i vendosmërisë, por edhe faktor real në dinamikën strategjike të luftës”, ka thënë gjenerali në pension Hisen Berisha.



