Gjenerali Hisen Berisha nderoi ushtarët britanikë në Ditën e Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar
Në Ditën e Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar, ish-deputeti dhe gjenerali Hisen Berisha, ka bërë homazhe për t’i nderuar pjesëtarët e Forcave të Armatosura Britanike që humbën jetën gjatë shërbimit me forcat e NATO-s në Kosovë (KFOR).
Berisha ka thënë se në këtë ditë kujtese, përulemi me respekt para sakrificës së tyre, – ushtarëve britanikë që dhanë jetën në misionin paqeruajtës dhe human, duke u bërë pjesë e historisë sonë të përbashkët për liri dhe dinjitet njerëzor.
“Sot u shënua Dita e Përkujtimit të të Rënëve (Remembrance Day), me një ceremoni ushtarake dhe fetare në Prishtinë, në nder të pjesëtarëve të ushtrisë britanike që ranë në Kosovë për lirinë tonë. Në këtë ditë kujtese, ne përulemi me respekt para sakrificës së tyre, – ushtarëve britanikë që dhanë jetën në misionin paqeruajtës dhe human, duke u bërë pjesë e historisë sonë të përbashkët për liri dhe dinjitet njerëzor. Liria që gëzojmë sot është fryt i gjakut të derdhur edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë, që besuan në drejtësinë e kauzës së Kosovës. Përulje dhe falënderim për ta – kujtimi i tyre do të mbetet përherë në themelet e paqes sonë. Ne kujtojmë. Ne nderojmë. Ne jemi mirënjohës”, ka shkruar Berisha në rrjetet sociale.



