Gjenerali Hisen Berisha teston nga afër mjetin e blinduar “SHOTA”
Automjeti taktik i blinduar “SHOTA”, që po konstruktohet në Tiranë nga kompania TIMAK, po konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të kapaciteteve të pavarura ushtarake.
Ish deputeti, gjenerali Hisen Berisha, ka vizituar në Tiranë kompaninë TIMAK, ku testoi nga afër mjetin e blinduar “Shota”.
Në një analizë të publikuar nga gjenerali Hisen Berisha, “SHOTA” përshkruhet jo vetëm si një produkt industrial, por si një deklaratë strategjike që synon ta shndërrojë vendin nga konsumues në prodhues të sigurisë.
Sipas tij, automjeti synon të përmbushë standardet moderne të NATO-s, duke ofruar mobilitet të lartë në terrene të vështira, mbrojtje balistike për personelin dhe integrim të sistemeve të avancuara të vëzhgimit dhe armatimit të kontrolluar në distancë.
Në analizë theksohet se Forca e Sigurisë së Kosovës aktualisht operon me automjete të blinduara të standardeve të NATO-s, të siguruara përmes importit dhe partneriteteve strategjike. Megjithatë, dallimi kryesor që sjell “SHOTA” është prodhimi vendor dhe ndërtimi i një zinxhiri të plotë të vlerës brenda rajonit.

Postimi i plotë i tij në Facebook:
SHOTA, Nga simbol i qëndresës në platformë të sigurisë moderne
Ka momente në histori kur kujtesa dhe e ardhmja takohen në një pikë të vetme. SHOTA është pikërisht një nga ato raste. Një emër që dikur mishëronte rezistencën, guximin dhe sakrificën, sot po shndërrohet në një platformë konkrete të fuqisë dhe sigurisë kombëtare.
Automjeti taktik i blinduar “SHOTA”, që po konstruktohet në Tiranë nga kompania TIMAK në përputhje me kërkesat e mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të kapaciteteve të pavarura ushtarake. Ky projekt nuk është thjesht një produkt industrial, është një deklaratë strategjike për ambicien e shtetit shqiptar për të qenë prodhues, e jo vetëm konsumues, i sigurisë.
Nga aspekti teknik dhe operacional, SHOTA synon të përmbushë standardet e një automjeti modern taktik të blinduar, me mobilitet i lartë në terrene të vështira, mbrojtje balistike për personelin, integrim të sistemeve të avancuara të vëzhgimit dhe potencial për armatim të kontrolluar në distancë. Këto karakteristika e vendosin atë në të njëjtën kategori funksionale me automjetet që sot përdoren nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

FSK aktualisht operon me automjete të blinduara të standardeve të NATO-s, të cilat janë të provuara në misione ndërkombëtare dhe ofrojnë siguri, fleksibilitet dhe ndërveprueshmëri me aleatët. Megjithatë, dallimi thelbësor që sjell SHOTA është dimensioni i prodhimit vendor. Ndërsa FSK mbështetet në import dhe partneritete strategjike për furnizim, SHOTA përfaqëson një përpjekje për të ndërtuar zinxhirin e vlerës brenda rajonit, nga dizajni, te prodhimi dhe mirëmbajtja.
Ky është një ndryshim paradigme, që qon nga varësia drejt sovranitetit teknologjik.
Por SHOTA nuk është vetëm një projekt shqiptar. Ai ka potencialin të shndërrohet në një platformë bashkëpunimi rajonal. Përfshirja e Kosovës dhe Kroacisë do të krijonte një bosht të ri të industrisë së mbrojtjes në Ballkan, duke rritur kapacitetet prodhuese, shkëmbimin e teknologjisë dhe fuqinë negociuese me aleatët strategjikë si SHBA, Mbretëria e Bashkuar apo Izraeli. Një qasje e tillë do të forconte jo vetëm sigurinë kombëtare, por edhe arkitekturën e sigurisë rajonale.

Megjithatë, dimensioni më i fortë i SHOTËS mbetet ai emocional dhe historik.
Fotoja e blindës së shkatërruar gjatë luftës në Koshare nuk është thjesht një kujtim i një beteje, është dëshmi e një epoke ku përballja bëhej me mjete të kufizuara, por me vullnet të pakufishëm. Ajo blindë e rrënuar simbolizon sakrificën dhe vendosmërinë për liri, në kushte të një disbalance të thellë ushtarake.
Sot, kur shohim SHOTËN të ndërtohet, kontrasti është i qartë, lëvizje nga një e kaluar ku shkatërronim mjete të armikut me guxim dhe improvizim, drejt një të ardhmeje ku ndërtojmë vetë mjetet tona të mbrojtjes me dije, teknologji dhe vizion.
Vizita në ambientet e TIMAK dhe takimi me znj. Arjeta Puca dhe stafin profesional, e bëjnë këtë projekt edhe më të prekshëm. Përtej makinerive dhe strukturave metalike, aty ndihet një vizion i qartë, për ndërtimin e kapaciteteve teknologjike ushtarake si bazë për një sistem të qëndrueshëm të mbrojtjes dhe sigurisë. Është një qasje që kërkon guxim sipërmarrës, mbështetje institucionale dhe koordinim strategjik.

SHOTA, në këtë kuptim, nuk është vetëm një automjet. Është një urë mes historisë dhe së ardhmes. Një dëshmi se sakrifica e djeshme mund të shndërrohet në forcë të organizuar sot. Dhe një sinjal i qartë se siguria nuk blihet, ajo ndërtohet.



