Gjeorgjia e quan Rusinë ‘agresore’ në përvjetorin e luftës

08 gusht 2023 | 13:31

Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, e ka quajtur Rusinë “agresore” më 8 gusht, në 15-vjetorin e luftës mes dy shteteve për rajonin e shkëputur.

Rusia ka dërguar mijëra trupa në Gjeorgji më 8 gusht të vitit 2008, pasi Tbilisi kishte nisur një operacion ushtarak në shkallë të gjerë në Osetinë Jugore ndaj separatistëve, të cilët kishin granatuar fshatrat gjeorgjiane në rajon.

“Ne e kemi ditur për një kohë të gjatë se Rusia është agresore, e kemi ditur dhe tani edhe e gjithë bota e di”, ka thënë Garibashvili për gazetarët.

Qeveria e Garibashvilit është kritikuar nga opozita se ka prirje pro-ruse.

Rusia e ka shkatërruar ushtrinë e vogël të Gjeorgjisë më 2008, duke pushtuar territorin gjatë pesë ditëve luftë. Më pas, presidenti i atëhershëm i Francës, Nicolas Sarkozy, ndërmjetësoi një marrëveshje armëpushimi.

Ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, që e kishte autorizuar veprimin ushtarak më 2008, mbrojti veprimet e Moskës përmes një deklarate të lëshuar në përvjetorin e kësaj lufte.

“Ushtria jonë shpejt dhe në mënyrë të ashpër ndëshkoi nacionalistët arrogantë për pesë ditë”, ka thënë ai përmes deklaratës së publikuar në rrjetet sociale.

Po ashtu, ai ka kritikuar Perëndimin për mbështetjen e presidentit të atëhershëm të Gjeorgjisë, Mikheil Saakashvili, duke ngritur paralele me mbështetjen që Perëndimi i jep Kievit gjatë pushtimit rus, që ende po vazhdon.

“Siç kam thënë në gusht të vitit 2008, armiqtë tanë do të shtypen dhe Rusia do të arrijë të gjithë paqen, sipas kushteve të saj”, ka thënë ai.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të hënën se Kievi qëndron në solidaritet me Tbilisin dhe se Rusia “do të paguajë” për agresionin e saj.

“Ukrainasit qëndrojnë në solidaritet me popullin e Gjeorgjisë dhe i falënderoj të gjithë shtetasit gjeorgjianë që po mbrojnë lirinë së bashku me ne”, ka thënë Zelensky.

Qindra ushtarë dhe civilë nga të dyja palët u vranë gjatë luftës së vitit 2008. Kombet e Bashkuara ka thënë se afër 120 mijë janë zhvendosur si pasojë e luftës, edhe pse shumica e tyre janë kthyer nëpër shtëpi pas konfliktit. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata evropiane që monitoron klimën e ka bërë zyrtare konstatimin:…