
Gjergj Dedaj: Gjykimi për masakrën e Mejës pa autorë serbë është farsë dhe amnisti për kriminelët
Ish-ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po trajtohet gjykimi për masakrën e Mejës në Gjakovë, duke e cilësuar atë si një farsë të drejtësisë dhe një akt amnistie për kriminelët serbë.
“Farsa e gjoja një gjykimi të masakrës më të madhe serbe në Kosovë, në Mejë të Gjakovës, pa prezencën e autorëve të masakrës, është amnisti ndaj kriminelëve serbë, autorë të masakrave në Mejë dhe në gjithë Kosovën,” ka deklaruar Dedaj.
Ai ka rikujtuar se më 27 prill të vitit 1999, në masakrën e Mejës u ekzekutuan mbi 370 civilë shqiptarë, përfshirë të moshuar, gra dhe fëmijë, por deri më sot asnjë nga autorët nuk është ulur në bankën e të akuzuarve.
“Fillimi i një gjykimi pa prezencën e asnjë të akuzuari serb është jo vetëm një farsë, por edhe një vrasje e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare. Në vend që të gjykohen kriminelët serbë, po gjykohen liderët e UÇK-së, ata që mbronin popullin nga masakrat dhe gjenocidi serb,” u shpreh Dedaj.
Ai theksoi se për masakrën e Mejës dhe për qindra masakra të tjera në Kosovë, drejtësia ka vepruar si “njerkë”, ndërsa familjarët e viktimave ndihen të braktisur edhe pas 26 vitesh.
“Padrejtësia ndaj mijëra shqiptarëve të masakruar është krim i dytë ndaj tyre. Vendosja e një drejtësie njëetnike që dënon çlirimtarët është krim dhe njollosje e lirisë, sakrificës dhe luftës çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës,” përfundoi Dedaj. Ish ambasadori Dedaj ka të vrarë 12 familjarë në Masakrën e Mejës.