Gjermanët ende nuk i kanë shkëmbyer 12 miliardë marka me euro

05 janar 2026 | 08:17

Qytetarët gjermanë ende mbajnë rreth 12 miliardë marka gjermane nën dyshekë.

“Njerëzit zakonisht vijnë pasi pastrojnë apartamentet e miqve ose të afërmve kur gjejnë kartëmonedha ose, më shpesh, monedha të markave gjermane në vende të ndryshme”, tha zëdhënësi i Bankës Qendrore Gjermane (Bundesbank), Uwe Deichert, për Agjencinë Evangelische Presse (EPD).

Përveç dyshekëve, vendet më të zakonshme për të gjetur sasi më të mëdha janë kutitë e vjetra të ilaçeve ose biskotave. Paratë gjenden edhe nën bimët e shtëpisë, dhe monedhat gjenden në rroba të vjetra ose edhe të qepura në perde.

Zyrtarët e bankës qendrore thonë se kanë vënë re gjithashtu një trend të shitjes së koleksioneve të monedhave.

“Është e qartë se koleksionistët e kuptuan se vlera e koleksioneve të tyre nuk do të rritej më, kështu që vendosën të përfitonin nga koleksionet e tyre numizmatike”, thotë Diechert.

Por ka përjashtime: monedhat me pesë marka të vëna në qarkullim midis viteve 1953 dhe 1971, për shkak të përqindjes së lartë të argjendit, çmimi i të cilit është vazhdimisht në rritje, janë ende me çmime të mira në tregjet numizmatike.

Sipas vlerësimeve, 24 vjet pas futjes së euros, rreth 12 miliardë marka gjermane ende nuk janë shkëmbyer – 5.6 miliardë në kartëmonedha dhe 6.5 miliardë në monedha. Banka qendrore nuk ka të dhëna se sa marka ka në vetë Gjermaninë.

Një arsye pse një sasi kaq e madhe parash nuk është shkëmbyer është se shumë marka ndodhen jashtë Gjermanisë, kështu që konvertimi i tyre në euro nuk është aq i thjeshtë.

“Por ka edhe arsye të tjera, emocionale. Shumë, veçanërisht qytetarët e moshuar, e shoqërojnë markën gjermane me rimëkëmbjen ekonomike dhe prosperitetin e pasluftës”, tha Diechert.

Psikologu ekonomik Stefan Trautmann i Institutit Alfred Weber për Shkencat Ekonomike në Heidelberg beson se fakti që ende ka kaq shumë marka gjermane në monedha dhe kartëmonedha mund të shpjegohet me besimin që gjermanët kanë në para të gatshme.

«Në Gjermani, njerëzit ende u besojnë parave të gatshme dhe mund të ndodhë lehtësisht që shuma më të mëdha të harrohen diku», thotë Trautmann.

Por të gjithë mund të jenë të qetë nëse ndryshojnë mendje: Gjermania është një nga vendet e pakta të eurozonës ku nuk ka afat kohor për shkëmbimin e markës gjermane me euron. Dhe kursi i këmbimit prej 1.95 markash për një euro nuk do të ndryshojë gjithashtu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, kërcënoi me ndërhyrje ushtarake kundër…