Gjermania do të dhurojë tre milionë vaksina për Ballkanin

05 korrik 2021 | 23:27

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të hënën se vendi i saj do të ndajë tre milionë doza të vaksinave kundër COVID-19 për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo i bëri këto komente në përfundim të një takimi virtual me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Zonja Merkel, tha se i sheh gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtare të ardhshme në Bashkimin Evropian “për arsye strategjike”.

“Është në vet interesin e Bashkimit Evropian që ta çojë përpara këtë proces”, tha zonja Merkel në një konferencë me gazetarë, pas përfundimit të takimit ku mblodhi për herë të fundit përfaqësuesit e Ballkanit Perëndimor, duke lënë të nënkuptohet se po flet për ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon, por pa i përmendur ato.

Kancelarja Merkel tha se gjatë takimit virtual, presidenti francez, Emmanuel Macron, kishte shprehur “shumë qartë” mbështetjen e tij për ardhmërinë evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit.

Në samit morën pjesë përfaqësues nga Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova si dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.

Kancelarja Merkel ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga politika pas zgjedhjeve kombëtare të shtatorit në Gjermani, pavarësisht nga rezultatet e partisë së saj Demokristiane.

Samiti i Berlinit është një nga nismat e zonjës Merkel, e hedhur në vitin 2014 me synim thellimin e bashkërendimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit të këtij rajioni në Bashkimin Evropian. / Zëri i Amerikës

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka nisur projektin "Vera është e bukur…