Gjermania fton në vizitë zyrtare kryesuesin e KPK-së, Arian Gashin
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë nga 3 deri më 8 maj 2026, me ftesë të institucioneve gjermane.
Sipas njoftimit të KPK-së, vizita realizohet në kuadër të një programi të organizuar nga Bundestagu dhe Qeveria Gjermane, ndërsa fokusi kryesor do të jetë tema “Sundimi i ligjit si element kyç për integrimin në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor”.
Në këtë program do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe zyrtarë të lartë nga rajoni.
Gjatë qëndrimit në Berlin dhe në vende të tjera të Gjermanisë, Gashi pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve federale gjermane, përfshirë Bundestagun, Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme, Ministrinë Federale të Brendshme dhe Ministrinë Federale të Drejtësisë.
KPK ka bërë të ditur se kjo vizitë synon forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e reformave në funksion të integrimit evropian të Kosovës dhe rajonit.



