Gjermania, mbi 5 000 raste të reja me koronavirus
Gjermania ka regjistruar më shumë se 5 000 raste me koronavirus brenda 24 orëve, për herë të parë nga muaji prill, ka njoftuar Agjencia Kombëtare për Kontrollin e Sëmundjeve në këtë shtet.
Shifrat e publikuara të mërkurën nga Instituti “Robert Koch” kanë treguar se 5 132 raste të reja janë regjistruar me këtë virus, çka përbën rritje për më shumë se 1 000 persona të infektuar, në krahasim me 4 122 që u paraqitën të martën.
Një total prej 334 585 i të infektuarve është regjistruar në këtë shtet, prej kur ka shpërthyer pandemia, derisa si pasojë e tij kanë vdekur 9 677 pacientë.
Një javë më parë autoritetet shëndetësore kanë raportuar 2 828 raste me koronavirus në Institutin “Robert Koch”, përcjell rel.
Numri i të infektuarve tani u është kthyer niveleve të mesit të prillit, por jo atyre të pikut të pandemisë që është shënuar në muajin mars dhe fillimin e prillit, kur autoritetet gjermane kanë regjistruar më shumë se 6 000 raste në ditë.
Megjithatë, tani është thënë se janë duke u kryer më shumë teste në krahasim me muajt paraprak, andaj edhe janë duke u regjistruar më shumë të infektuar.



