Gjermania paralizohet nga greva e transportit publik, sindikatat kërkojnë paga dhe kushte më të mira pune
Dhjetëra mijëra punonjës të transportit publik dolën në grevë në Gjermani, duke paralizuar shërbimet e autobusëve dhe tramvajeve në shumicën e qyteteve të vendit. Aksioni protestues u organizua nga sindikata Verdi, pas dështimit të negociatave me punëdhënësit lokalë dhe rajonalë.
Greva ka prekur rreth 150 kompani transporti komunale në 15 nga 16 landet e Gjermanisë, përfshirë Berlinin, Hamburgun dhe Bremenin. Sipas Verdi, në protestë janë përfshirë dhjetëra mijëra punonjës nga rreth 100 mijë që sindikata përfaqëson në këtë sektor.
Sindikatat kërkojnë përmirësim të kushteve të punës, përfshirë turne më të shkurtër, pushime më të gjata mes ndërrimeve, si dhe pagesë më të lartë për punën gjatë natës dhe fundjavës. Nga ana tjetër, bashkitë dhe operatorët lokalë të transportit shprehen se po përballen me kufizime serioze buxhetore.
Greva u zhvillua në kushte të vështira moti, me temperatura nën zero në shumë zona të vendit, duke e bërë edhe më të vështirë lëvizjen për qytetarët, të cilët u detyruan të gjejnë alternativa transporti.
Ndërkohë, kompania hekurudhore Deutsche Bahn njoftoi se shërbimet e saj, përfshirë trenat urbanë S-Bahn dhe linjat e gjata, po funksionojnë normalisht, pasi punonjësit e saj nuk përfaqësohen nga sindikata Verdi.
Bisedimet mes palëve kanë qenë të tensionuara. Në Berlin, sindikata ka deklaruar se operatorët po kërkojnë heqjen e disa përfitimeve, si pagesa e sëmundjes dhe oraret fleksibël, për të financuar rritje të mundshme pagash.
Raundi i radhës i negociatave është planifikuar për 9 shkurt, ndërsa sindikatat kanë paralajmëruar se greva të tjera mund të pasojnë nëse nuk ka lëshime konkrete nga punëdhënësit.



