Gjermania: S’ka paqe mes Trumpit dhe Putinit pa dritën jeshile nga Kievi

11 gusht 2025 | 15:23

Qeveria gjermane ka këmbëngulur në rëndësinë e përfshirjes së Ukrainës në çdo marrëveshje paqeje, përpara takimit të planifikuar midis presidentit të ShBA-së, Donald Trump dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin.

Samiti mund të jetë “një moment shumë, shumë i rëndësishëm për rrjedhën e mëtejshme të kësaj lufte të tmerrshme”, ka thënë zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Meyer në Berlin të hënën.

Trumpi dhe Putinu planifikojnë të takohen në Alaska të premten për të negociuar një marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund luftës së Rusisë, e cila ka vazhduar për rreth tre vjet e gjysmë.

Presidenti i ShBA-së po e paraqet takimin si një përpjekje për t’iu afruar përfundimit të luftimeve dhe ka folur për një shkëmbim të mundshëm territori midis Ukrainës dhe Rusisë.

Meyer iu referua komenteve të bëra nga Kancelari Friedrich Merz, i cili ka thënë në televizionin “ARD” se ai po mbështetej në përfshirjen e ukrainasve.

Zëdhënësi ka thënë se “nëse qëllimi është të arrihet një paqe vërtet e qëndrueshme dhe e drejtë, atëherë është plotësisht jashtë diskutimit të arrihet kjo pa ndihmën e popullit ukrainas”.

Ai nuk ka dhënë detaje mbi qëndrimin gjerman kur u pyet. Ai ka thënë se ekziston një proces, “ku çdo fjali dhe çdo fjalë, çdo deklaratë publike mund t’i ndryshojë gjërat, ndoshta për keq”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arbnor Aliu është futbollisti më i ri i skuadrës së…