Gjiganti evropian hap bisedimet me agjentët e Kaoru Mitomas

25 maj 2025 | 11:03

Bayern Munich ka filluar lëvizjet konkrete për të transferuar Kaoru Mitoma nga Brighton në afatin kalimtar të verës.

Klubi gjerman po kërkon përforcime në krahët e sulmit dhe japonezi është një nga emrat kryesorë në listën e tyre.

Sipas gazetarit Florian Plettenberg, drejtuesit sportivë Max Eberl dhe Christoph Freund do të zhvillojnë një takim me agjentët e Mitomës për të diskutuar mundësinë e transferimit, raporton Telegrafi.

Mitoma, 28-vjeç, ka treguar gatishmëri për një hap të ri në karrierë, derisa ai shihet si zëvendësues potencial për Kingsley Coman ose Leroy Sane, të cilët mund të largohen nga klubi gjatë verës.

Bayern është njoftuar se çmimi i lojtarit mund të arrijë rreth 50 milionë euro, një shumë që Brighton mund ta pranojë, pavarësisht se dëshiron ta mbajë futbollistin, i cili ka kontratë deri në vitin 2027.

Negociatat janë ende në një fazë fillestare dhe nuk është bërë ndonjë ofertë zyrtare. Megjithatë, Bayern nuk është duke humbur kohë dhe po vlerëson të gjitha opsionet.

Në rast se transferimi i Mitomës dështon, Bayern ka edhe një plan B. Klubi është në kontakt me agjentin Jorge Mendes për të diskutuar mundësinë e afrimit të Rafael Leaos nga Milan.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Rrjeti i Grave…