Gjilan: Hyri për ta pastruar bunarin, 75-vjeçari nuk doli më i gjallë
Një person ka humbur jetën pasditen e së hënës në fshatin Dobërçan të Gjilanit, pasi dyshohet se ka rënë në një bunar gjatë pastrimit të tij.
Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi rajonal i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Hashani tha se njësitet policore kanë reaguar menjëherë, duke dalë në vendin e ngjarjes.
“Më datën 29.06.2026, rreth orës 14:23, Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar një thirrje lidhur me një rast në fshatin Dobërçan. Njësitet patrulluese i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Nga hetimet e para dyshohet se një person ka rënë në një pusetë derisa ishte duke e pastruar atë”, deklaroi Hashani për Klankosova.tv.
Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë edhe zjarrfikësit, të cilët kanë bërë zbrazjen e pusetës për të mundësuar nxjerrjen e viktimës.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e zjarrfikësve, të cilat kanë bërë zbrazjen e pusetës. Pas kësaj është tërhequr trupi i viktimës, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij. Viktima është i lindur në vitin 1951.”
Hashani bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit rajonalë dhe njësitë e forenzikës, ndërsa me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.



