
Gjilani e çon Flamurtarin në Ligën e Parë
Drita është shpallur kampione e Kosovës në futboll, kurse Gjilani ka përfunduar në pozitën e dytë dhe dy skuadrat gjilanase do ta prezantojnë Kosovën në garat ndërkombëtare. Flamurtari është skuadra e katërt që i bashkohet Vushtrrisë, Ferizajt dhe Dukagjinit në Ligën e Parë.
Skuadra e Gjilanit e ka fituar ndeshjen ndaj Flamurtarit me rezultat 0-1 dhe në këtë mënyrë e ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës e në anën tjetër e ka çuar Flamurtarin në Ligën e Parë. Rezak ka shënuar golin e vetëm në ndeshje në minutën e 73-të, kurse Stullqaku në minutat shtesë është ndëshkuar me karton të kuq.
Derbin e kësaj xhiroje e fitoi Ballkani ndaj Dritës (2-1), por këto tri pikë ishin të pamjaftueshme për klubin e drejtuar nga Ismet Munishi për ta siguruar pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare. Megjithatë, ky klub e ka një mundësi të tillë të sigurojë pjesëmarrjen në Evropë nëpërmjet garës së Kupës, ku në finale është me Prishtinën.
Për Ballkanin shënues ishin Berisha dhe Daku, kurse për Dritën golin e vetëm e shënoi Xhevdet Shabani. Trepça ’89 e siguroi mbetjen në Superligë pas fitores ndaj Prishtinës me përmbysje (2-1). Avdyli dhe Manaj shënuan për 89-shin, kurse për kryeqytetasit shënoi Zyba.
Drenica e mposhti Dukagjinin me rezultat 1-0, derisa Vushtrria e mposhti Llapin (5-3).
Ish-skuadra kampione e Kosovës, Feronikeli, e mbylli kampionatin me fitore ndaj Ferizajt (2-4). Kampione e Superligës në xhiron e kaluar është shpallur Drita, skuadër e cila do të marrë pjesë në garat parakualifikuese të Ligës së Kampionëve, kurse Gjilani merr pjesë në garat e Ligës së Evropës. Nga Superliga, përveç Flamurtarit, largohen edhe Vushtrria, Ferizaj dhe Dukagjini i Klinës.
IPKO SUPERLIGA
Drenica – Dukagjini 1-0
Vushtrria – Llapi 5-3
Ferizaj – Feronikeli 2-4
Trepça ’89 – Prishtina 2-1
Flamurtari – Gjilani 0-1
Ballkani – Drita 2-1
(Veton ZYMBERI)