
Gjimshiti: Liga e Evropës, ëndrra më e bukur e karrierës sime
Mbrojtësi shqiptar i Atalantës, Berat Gjimshiti, ka dhënë një intervistë për kanalin zyrtar të Serie A, ku ka rrëfyer eksperiencën e tij në futbollin italian dhe lidhjen e veçantë me qytetin e Bergamos.
“Futbolli është një nga gjërat më të rëndësishme në jetën time, ashtu si familja që kam krijuar. Familja për mua është thelbi i shoqërisë. Ka pasur momente që më kanë bërë të qaj dhe të qesh nga lumturia, por e gjitha ka ndodhur së bashku. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të arrija në këtë nivel. Por, në jetë gjithçka është e mundur”.
Fillimet në Itali
Gjimshiti pranon se fillimi në futbollin italian nuk ishte i lehtë: “E vërteta është që nuk ndiqja shumë futbollin italian, më shumë ndiqnim kampionatin gjerman në shtëpi. Por kur erdhi telefonata nga Atalanta, fillova të informohesha dhe kuptova madhështinë e këtij klubi”.
Ai e pranon se zgjodhi Italinë për të rritur nivelin e tij profesional: “Italia ka një traditë shumë më të fortë në futboll se Zvicra, si në sistem ashtu edhe në zhvillim. Ishte një vendim shumë i rëndësishëm për karrierën time”.
Lidhja me qytetin
Për Bergamon, Gjimshiti flet me dashuri: “Më duket si shtëpia ime e dytë. Banorët janë punëtorë dhe të drejtë, dhe kjo përshtatet me personalitetin tim.”
Njeriu në fushë dhe jashtë saj
“Ka dallime të mëdha – në fushë duhet të jesh lider, agresiv sidomos në rolin tim si mbrojtës. Por jashtë fushës jam njeri i thjeshtë, më pëlqen të kaloj kohë me familjen dhe fëmijët”.
Momente të paharrueshme
Në kujtimet e tij më të dashura është fitorja e Ligës së Evropës: “Është ëndrra më e bukur e karrierës sime. Dua të kujtohem si ai djali i thjeshtë që ka dhënë gjithmonë gjithçka për këtë fanellë dhe për këtë qytet”.
Gjimshiti tregon se në fillimet e tij, drejtori i atëhershëm Sartori i tha se Atalanta ishte një klub që rrit të rinjtë dhe më pas i shet, por tani realiteti ka ndryshuar: Atalanta është tashmë një nga top klubet e Italisë, që vazhdon të ruajë identitetin dhe përkushtimin ndaj punës.
“Shpresoj që njerëzit në Bergamo të kenë vetëm fjalë të mira për mua, ashtu siç kam unë për ta”, përfundon me emocion kapiteni i kombëtares shqiptare.