Gjini e sheh ‘skenar të vdekur’ që Kurti ta rikandidojë Osmanin për Presidente
Kryetari i Gjakovës Ardian Gjini i sheh me pesimizëm përpjekjet e ditëve të fundit për të zgjidhur nyjën e Presidentes, teksa vlerësoi se ‘çarja’ e raporteve mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani “tashmë ka ndodhur”.
Me më pak se tetë ditë nga skadimi i afatit kushtetues, Gjini u shpreh skeptik se Kosova do ta ketë Presidentin e ri.
Në leximin e Gjinit, gjatë një interviste në emisionin “Context” ATV”, mënyra sesi Lëvizja Vetëvendosje po e menaxhon çështjen e Presidentes nuk pasqyron vullnet të sinqertë për zgjidhje, por strategji elektorale të llogaritur me kujdes.
“Te çështja e Presidentit situata është goxha interesante. Mund të them që ka shumë cinizëm. Është seriozisht cinike me i fitu 51 për qind të votave, me shku në Parlament dhe me thënë ‘unë s’kam kandidat për President – gjejeni kandidatin nëse doni ju’”. – tha ai,
Sipas tij, takimet e Kurtit me PDK dhe LDK nuk po zhvillohen me qëllim të gjetjes së një kompromisi real, por më shumë si manovra politike për ta ngarkuar opozitën me përgjegjësi në rast të dështimit.
Sipas tij, pushteti po llogarit skenarin e zgjedhjeve të reja, duke u përpjekur ta ruajë veten nga faji për një krizë të re institucionale.
“Prapë, në mënyrën më cinike, po provohet ose me u shantazhu opozita që ‘keni me bë çfarë t’ju them unë’, ose me provu edhe njëherë me arritë në situatën që nëse shkojmë në zgjedhje, me u projektu faji te tjerët. Pra, [Albin Kurti] mos me marrë fajin. I kam dilemat e mia për një marrëveshje potenciale dhe përgatitje për t’ua lënë fajin tjerëve.” – deklaroi kreu i Gjakovës.
Gjini foli më tej për atë që ai e quajti “çarje” mes Kryeministrit Albin Kurtit dhe Presidentes aktuale Vjosa Osmani, duke thënë se rikandidatura e saj është skenar i vdekur politikisht.
“Gjasat janë minimale që zoti Kurti ka me kandidu Vjosa Osmanin edhe njëherë për Presidente. Tash po thuaj se këto gjasa nuk ekzistojnë. Çarja ka ndodh për shkak se çdokush ndihet i fyer në këto rrethana.
Nëse Albin Kurti del në konferencë për shtyp dhe thotë se ne nuk kemi kandidat për President, normalisht që Vjosa Osmani ndihet e fyer deri diku për shkak se nisjen e kanë pasur bashkë dhe shumicën e parë e kanë kriju bashkë.” – tha ai.
Ai komentoi edhe qëndrimin e Aleancës për çështjen e Presidentit, ku tha se Haradinaj ka treguar gatishmëri konstruktive gjatë gjithë këtij procesi, duke përfshirë ofertën e hapur të kreut Ramush Haradinaj.
“Ne si aleancë e kemi ofruar vetën në këtë proces, kryetari Haradinaj e ka ofru vetën si President, pavarësisht rrethanave, i ka ofru opozitës edhe ndonjë kandidaturë tjetër. Ajo që ka thënë Ramushi është kështu: Unë dal kandidat, por nëse ju e keni një kandidat tjetër, i keni votat e Aleancës, i keni nënshkrimet e aleancës. Po e nxjerrim një kandidat të opozitës. Po duket që është zor me ndodh edhe kjo punë.”



