Gjini: Komoditeti që na krijuan sondazhet, ndikoi te rezultati i zgjedhjeve

26 tetor 23:25

Kandidati i AAK-së për Gjakovën, Ardian Gjini ka treguar arsyet që sipas tij nuk kanë mundur ta fitojnë këtë komunë në raundin e parë.

Gjini në “Debat Plus” thotë se ndër arsyet kryesore që ai nuk fitoi në raundin e parë ishte relaksimi pas sondazheve serioze që e nxirrnin atë fitues të padiskutueshëm.

“Sondazhet paraprake na kanë krijuar një komoditet i cili ka mundur të kushtojë pasi në fund përfunduam me rreth 1,600 më pak se votat e nevojshme për të kaluar pa balotazh”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Gjini thotë se balotazhi do të jetë pak më shumë lodhje për të dhe votuesit, por se do të fitojnë.

“Ka edhe arsye tjera, por më shumë mendoj se lidhet me relaksimin e sondazheve. Matjet ishin të përsëritura. Kemi pasur nevojë për më shumë seriozitet për garën”.

Kryetari aktual i Gjakovës thotë se ka pasur njerëz nga AAK që është dashur të angazhohen më shumë në zgjedhje por nuk ka dashur të komentoj shumë rolin e Pal Lekajt dhe efektin e mundshëm të demokristianëve në garë.

“Nuk kam pritur që PSHDK-ja do të nxjerrë kandidat në garë, por nxorën. Më kanë thënë se jemi miq por kështu nuk shkojnë këto punë”.

Gjini thotë se nuk dëshiron të qeverisë Gjakovën pa koalicione.

“Koalicione do të kemi në çfarëdo mënyre. Nuk dua ta qeverisë Gjakovën i vetëm”, deklaroi tutje Gjini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka arrestuar sot dy persona për të…