Gjini: Nuk e bllokojmë Kosovën. S’do të kishte president më të mirë se Haradinaj
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se partia e tij është e gatshme të kontribuojë në formimin e institucioneve të reja, por kërkon një zotim të qartë me shkrim për ndërmarrjen e veprimeve që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve të Kosovës.
Në një konferencë për medie, Gjini ka thënë se partia e tij nuk do ta pengojë krijimin e institucioneve dhe se, nëse është e nevojshme, do të ofrojë edhe kuorumin.
“Kjo nënkupton se nuk do ta pengojmë themelimin e institucioneve në asnjë mënyrë. Nëse ka nevojë për kuorum, do ta bëjmë kuorumin, por na duhet një zotim i pastër me shkrim se këto veprime do të ndërmerren. Në kundërvlerë nuk kërkojmë asgjë”, ka deklaruar Gjini.
Gjatë konferencës, Gjini ka folur edhe për mundësinë që Ramush Haradinaj të propozohet për president të vendit, duke thënë se një gjë e tillë do të ishte nder për Aleancën, por nuk do të vendoset si kusht për mbështetjen e tyre
“Nëse Ramush Haradinaj do të propozohet për president, vlen e njëjta formulë. Për ne do të ishte nder, por nuk jemi duke e vendosur si kusht. Ne mendojmë se Kosova nuk do të mund të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj në këtë moment, mirëpo nuk duam ta bllokojmë Kosovën për këtë bindje tonën, e cila është e plotë dhe e pandryshueshme”, ka thënë ai.
Gjini ka theksuar se Aleanca nuk po kërkon poste politike në këmbim, por, sipas tij, synon që pesha e saj politike të përdoret për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe jo për interesa partiake.
“Edhe një herë, jemi të gatshëm të bëjmë kuorum, por po kërkojmë diçka për qytetarin e Kosovës, jo për vete. Nuk kemi asnjë kusht personal, nuk duam as ministra, as zëvendësministra, as ambasadorë, as borde, asgjë. Por nuk guxojmë të jemi indiferentë dhe të mos e përdorim peshën tonë politike për ta përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës”, ka përfunduar Gjini.



