Gjinovci: Ra cigarja e shumë njerëz e mësuan se do të luajë Kosova

03 shkurt 2020 | 17:53

Përfaqësuesja e Kosovës në futsall ka dështuar të kualifikohet në fazën e radhës kualifikuese pasi në tri takimet e luajtura ka fituar një ndeshje dhe është mposhtur në dy ndeshjet e tjera.

Kundërshtarë të Kosovës në këtë fazë kualifikuese ishin Austria, Gjermania e Gjeorgjia si organizatore e miniturneut në fjalë. Por, para nisjes për në Tibilisë, futbollistët e Kosovës ishin bërë ‘skandal’ pasi ishin kapur duke pirë cigare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. E gjitha kjo, sipas futbollistit të Kosovës, Oso Gjinovci, ka ndikuar në performancën e dobët të ekipit, por futbollisti në një prononcim për gazetën ka thënë se te rezultatet negative kanë ndikuar edhe disa arsye të tjera që bën të kuptohet se Gjinovci fajëson edhe Federatën e Futbollit të Kosovës.

“Dua të sqarohem edhe një herë për çështjen e cigareve për publikun Dardan. Sulmi ndaj tre futbollistëve, duke më përfshirë edhe mua, ishte një gjë e keqe pak para nisjes për në Gjeorgji. Sa i përket ndikimit në moskualifikimin tonë, kishte edhe arsye të tjera”, ka thënë Gjinovci për “Olle”. “E para ishte sulmi nga mediet e shumta ditën e nisjes pikërisht për çështjen e lartcekur, e dyta ishte udhëtimi i bërë pasi kemi udhëtuar vetëm 24 orë para ndeshjes zyrtare, duke përfshirë edhe vonesat e shumta në aeroport si në Prishtinë ashtu edhe në Stamboll. Pas lodhjes nga udhëtimi kemi bërë gjumë vetëm tri orë dhe kemi pasur direkt ndeshjen e parë ndaj Austrisë, ku edhe e fituan, por që më pas e gjitha nuk shkoi ashtu siç ne dëshiruam, duke u eliminuar nga kjo fazë”, ka shtuar ai. Më tutje, Gjinovci bëri me dije se takimi ndaj Gjeorgjisë u humb pasi skuadra në fjalë kishte në radhët e veta shumë futbollistë cilësorë të kalibrit botëror.

“Cigarja bëri efektin e vet, mësuan njerëzit se Kosova luan futsall dhe kishim parakualifikime dhe se po ndeshemi me tri kombëtare të forta. Me pak fjalë, cigarja ishte faktori kryesor që shumë njerëz në Kosovë mësuan se kombëtarja do të luajë në parakualifikime në futsall, fatkeqësisht”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I nominuari për kryeministër, Albin Kurti, ka publikuar fjalimin e…