
Gjoshi: Kurti po rrezikon t’i prishë raportet me miqtë ndërkombëtarë
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka filluar të humbë durimin dhe se po prishet me secilin aleat të Kosovës, që “nga dita kur e kuptoi se ka rënie të madhe në elektorat dhe që kjo rënie nuk po din të ndalet”.
Gjoshi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Kurti ka filluar t’i shkruajë letra qortuese BE-së, pa arritur të dallojë se në çfarë gjuhe flitet me miq.
“Duke tentuar që ta kompensojë humbjen e madhe të besimit të qytetarëve, edhe të atyre që i besuan me sy mbyllur, po krijon tensione dhe rreziqe të panevojshme me Aleatët e Republikës së Kosovës, të cilët ndihmuan në lirinë dhe pavarësinë e saj. Politika e tillë populiste dhe pa kokë e z. Kurtit, jo vetëm që do të krijojë frikë e panik të panevojshme, por po rrezikon seriozisht raportet me ShBA-të dhe BE-në. Kjo politikë, me rezultatin e saj katastrofal, do të ishte dhurata më e mirë për Vuçiqin”, ka thënë Gjoshi.