Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim rastin ndaj kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj

28 prill 2021 | 14:24

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, lidhur me akuzën për konflikt të interesit.

Lajmi është bërë me dije nëpërmjet një komunikate për medie, ku është thënë se Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin Elezaj ishte dënuar me 4 mijë euro gjobë.

“Gjykata e Apelit,  ka konstatuar se aktgjykimi në fjalë duhet anuluar, ngase i njëjti është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke qenë se nuk është përpiluar konform dispozitës së nenit 370 par.7  lidhur me nenin 365 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo pasi që dispozitivi është në kontradiktë me arsyet e theksuara,  në pjesën arsyetuese të aktgjykimit, njëkohësisht mungojnë arsyet për faktet vendimtare, ndërsa, ato që janë dhënë, nuk janë në  pajtueshmëri të plotë me provat dhe shkresat e tjera në lëndë. Po ashtu gjykata gjeti se gjendja faktike është vërtetuar në  mënyrë të gabuar dhe jo të plotë, prandaj edhe vendosi që lënda të kthehet në rigjykim.”, është thënë në komunikatën e Gjykëtës së Apelit.

Zenun Elezaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë më 29 dhjetor 2020 dhe ishte dënuar me 4 mijë euro gjobë, për veprën penale “konflikti i interesit”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj- Rugova, ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej 2 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit, nga ku Lëvizja…