Gjykata i çon në arrest shtëpiak dy të dyshuarat për rastin e çerdhes ‘Botanika’

15 maj 2025 | 17:08

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka caktuar masën arrestit shtëpiak ndaj të pandehurave K.A. dhe Q.M.B. në kohëzgjatje prej nga një muaj për rastin e çerdhes “Botanika”.

Në njoftimin e gjykatës është thënë se gjyqtarja e procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore ka  vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurave K.A. dhe Q.M.B, pasi ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat kanë kryer veprën penale përvetësimi në detyrë.

Njoftimi i plotë:

Gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurave K.A. dhe Q.M.B.për veprën penale Përvetësimi në detyrë

Prishtinë, 15 Maj 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka caktuar masën arrestit shtëpiak ndaj të pandehurave K.A. dhe Q.M.B.në kohëzgjatje prej një muaj, për secilen.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurave K.A. dhe Q.M.B, pasi ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat kanë kryer veprën penale Përvetësimi në detyrë.

Të pandehurat K.A. dhe Q.M.B. obligohen të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, në të cilën jetojnë dhe në asnjë mënyrë pa leje të gjykatës nuk guxojnë të largohen nga shtëpia e tyre, po ashtu detyrohet Policia e Kosovës që të verifikojnë zbatimin e kësaj mase dhe në rast të mosrespektimit të saj, ta informojnë gjyqtaren e procedures paraprake, në këtë çështje penale. Konform nenit 181 paragrafi 5 të KPPRK-së, gjykata mund ta caktoj masën më të rëndë – paraburgimin, nëse të pandehurat nuk e respektojnë masën e shqiptuar si në këtë aktvendim.

Gjykata konstatoj se ekziston dyshimi se nëse të pandehurat gjenden në liri, do të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale duke asgjësuar, fshehur ose ndikuar në dëshmitarë dhe në prova të tjera materiale, në këtë mënyrë do të pengonin rrjedhën normale të procedurës penale.

Gjykata po ashtu vlerësoj se masa e arrestit shtëpiak është caktuar edhe për shkak të peshës së veprës penale, mënyrës dhe rrethanave në të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, duke pasur parasysh se në rastin konkret kemi të bëjmë me përvetësim të parave, të cilat iu janë besuar nga Komuna e Prishtinës, për tu subvencionuar fëmijët të cilët i plotësojnë kriteret ligjore për subvencionim dhe duke marrë parasysh shumën e dëmit që supozohet se i është shkaktuar buxhetit, mbi 51 mijë euro, dhe me këtë të pandehurat dyshohen se kanë marrë veprime inkriminuese, duke përgatitur së bashku listat e përfituesve dhe duke i dërguar në Komunë të Prishtinës, andaj gjykata konsideron se ekziston baza ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj dy të pandehurave.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ankaraja ka arsye të shpresojë për suksesin e bisedimeve të…