Gjykata Komerciale rrëzon vendimin kundër NPB-së, shmangen pasojat financiare mbi 100 milionë euro
Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Dytë, ka aprovuar si të bazuar ankesën e paraqitur nga avokati i autorizuar i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) dhe ka rrëzuar aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin kjo ndërmarrje ishte detyruar të zbatojë një kontratë të skaduar me një konsorcium kompanish private.
Sipas njoftimit të avokatit Faton Fetahu, Gjykata e Shkallës së Dytë ka konstatuar shkelje serioze ligjore në vendimin e mëparshëm, duke e prishur atë dhe duke e kthyer çështjen në rivendosje. Po ashtu, gjykata ka dhënë udhëzime të qarta për mbrojtjen e interesit publik dhe të pronës komunale.
Vendimi i ri i gjykatës i jep fund një tentative që, sipas Fetahut, do të kishte pasoja të rënda financiare për qytetarët e Prishtinës. Kontrata e kontestuar parashihte dhënien e mbi 60 mijë metrave katrorë të pronës publike për ndërtimin e pesë kullave shumëkatëshe afariste, me përfitime të mëdha për operatorët privatë dhe dëm të drejtpërdrejtë për interesin publik.
Edhe pse konsorciumi privat kishte kërkuar jo vetëm zbatimin e kontratës, por edhe dhjetëra milionë euro dëm material dhe fitim të humbur, Gjykata Komerciale e Shkallës së Parë kishte detyruar NPB-në të zbatojë një kontratë që, sipas Gjykatës së Shkallës së Dytë, nuk kishte hyrë asnjëherë në fuqi dhe nuk kishte bazë ligjore.
Sipas avokatit Fetahu, nëse ky vendim nuk do të ishte rrëzuar, pasojat financiare për buxhetin publik do të tejkalonin 100 milionë euro, përfshirë edhe kamatën ligjore. Ai theksoi se zyra e tij është e kënaqur që argumentet juridike u pranuan plotësisht dhe që u arrit mbrojtja e interesit publik.
Në këtë proces, sipas njoftimit, rol të rëndësishëm ka pasur edhe ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, me iniciativën e të cilit zyra ligjore u angazhua pro bono, në funksion të mbrojtjes së pronës publike dhe parasë së taksapaguesve.
“Ky rast dëshmon se kontratat e dëmshme, abuzimi me pronën publike dhe favorizimi i interesave private mund të ndalen kur ka vullnet politik dhe profesionalizëm në shërbim të interesit publik”, thuhet në njoftimin e avokatit Faton Fetahu.





