
Gjykata Kushtetuese: Kuvendi nuk është konstituuar, edhe 12 ditë afat
Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të martën që seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, nuk ka përfunduar dhe që ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi.
Ajo e ka marrë këtë vendim të martën pas ankesës së Listës Serbe lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicave.
Ky subjekt politik beson se kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk ka vepruar në mënyrë të drejtë kur e ka shpallur Kuvendin të konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetari serb.
Pas pranimit të ankesës, Gjykata Kushtetuese ka vendosur më 5 shtator një masë të përkohshme, e cila ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime drejt formimit të Qeverisë së re deri më 30 shtator, meqë ka pasur dyshime për ndonjë shkelje kushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje, parti që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe aktualisht është në pushtet, e ka kritikuar masën e vendosur nga Kushtetuesja, ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë ditë më parë se beson që bllokimi i Kuvendit për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga pakica serbe, përderisa Kryesia e tij ka kuorum, do t’i cenonte në mënyrë serioze themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti.
Sipas saj, votimi në pako për dy pozitat e rezervuara për minoritetet nuk kërkohet me Kushtetutë, siç pretendon Lista Serbe, dhe se Rregullorja e Punës e Kuvendit nuk është mbi dokumentin më të rëndësishëm në vend.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Gjykata, njëzëri, ka vendosur:
TË DEKLAROJË, kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi;
TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit;
TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë.