Gjykata në Gjakovë iu cakton “paraqitje në stacion policor” 22 personave të dyshuar për vota, refuzon paraburgimin
Gjykata Themelore në Gjakovë, në tri seanca të ndara dëgjimore të mbajtura mbrëmë, ka nxjerrë vendim duke refuzuar kërkesat e Prokurorisë Themelore në Gjakovë për caktimin e masës së paraburgimit 22 personave, për shkak të dyshimit të bazuar se veç e veç kanë kryer veprën penale të falsifikimit të rezultateve të votimit.
Sipas kërkesës së Prokurorisë “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në cilësinë e kryesuesve të komisioneve për numërimin e votave, me autorizime të marra nga KQZ, në Qendrën Komunale të Numërimit në Gjakovë, e vendosur në palestrën e sporteve “Shani Nushi”, me veprime të kundërligjshme kanë ndërhyrë në procesin e votimit, duke falsifikuar rezultatet e tij, me ç’rast kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor dhe vullnetin e lirë të votuesve”.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve dhe ndaj tyre ka caktuar masën e paraqitjes në stacion policor.
“Me këtë vendim, të pandehurit do të paraqiten në stacion policor për një periudhë prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data 6 shkurt 2026 deri më 5 mars 2026”, tha gjykata.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit ligjor.



