Gjykata pezullon vendimin e Qeverisë për emërimin e drejtorit të ri të ARC-së
Gjykata Themelore pezullon emërimin e drejtorit të ri të ARC-së nga Qeveria, duke lënë pozitën të zbrazët dhe ngritur pyetje të rënda mbi ligjshmërinë dhe meritokracinë e procesit, ndërkohë që dilema mbetet: a do ta zbatojë Ministria e Sveçles këtë vendim të gjykatës, apo injorimi i tij mund të rrezikojë funksionimin e institucioneve që lëshojnë dokumente jetike për qytetarët?
Në një shtet ku sundimi i ligjit proklamohet si shtylla kryesore e qeverisjes, përplasja e fundit administrative në Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC) po kthehet në një test të rëndësishëm integriteti. Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërhyrë drejtpërdrejt në një nga vendimet e Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar emërimin e drejtorit të ri të kësaj agjencie. Më 29 dhjetor 2025, përmes Aktvendimit A.nr.4246/2025, Gjykata ka aprovuar masën e sigurisë për pezullimin e menjëhershëm të Vendimit të Qeverisë nr. 03/275. Ky vendim, i marrë më 13 nëntor, parashihte emërimin e Jetmir Hazirit në krye të ARC-së.
Gjykata ka qenë e qartë: pezullimi duhet të hyjë në fuqi menjëherë dhe ankesa e mundshme nuk e shtyn ekzekutimin e këtij urdhri. Kjo do të thotë se, ligjërisht, vendi i drejtorit duhet të mbetet i zbrazët (ose nën udhëheqjen e ushtruesit të detyrës) derisa Gjykata të vendosë përfundimisht mbi ligjshmërinë e procesit të rekrutimit. Ndonëse emërimi është bërë në mbledhje të Qeverisë, barra e zbatimit të këtij pezullimi bie mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrin Xhelal Sveçla. Është kjo Ministri që menaxhon personelin e ARC-së dhe që duhet të garantojë se urdhri i gjykatës respektohet. Përfaqësuesit ligjorë të palës dëmtuese tashmë kanë njoftuar zyrtarisht menaxhmentin e MPB-së përmes një shkrese dërguar udhëheqësit të personelit, duke paralajmëruar se injorimi i këtij aktvendimi përbën vepër penale. Sipas Neneve 393 dhe 394 të Kodit Penal, personat zyrtarë që refuzojnë të ekzekutojnë vendimet e gjykatave mund të përballen me dënime me burgim deri në dy vjet.
Rasti bëhet edhe më kompleks kur merret parasysh e kaluara profesionale e të emëruarit. Siç kishte raportuar Insajeri, Haziri kishte dështuar të kalonte filtrat e rekrutimit në një proces tjetër paraprak për një agjenci tjetër, me arsyetimin se nuk plotësonte kriteret profesionale të kërkuara nga KPMShCK. Kjo krijon një paradoks administrativ: si arriti një kandidat që vlerësohej se nuk i plotësonte kriteret për pozita të tjera, të merrte pëlqimin e Qeverisë për të udhëhequr një agjenci kaq sensitive si ARC-ja? Kjo pikëpyetje mbi meritokracinë tashmë është bërë pjesë e betejës ligjore në gjykatë. Insajderi e ka pyetur ministrin Svecla për këtë rast, për vendimin e Gjyqit, dhe për vet kandidatin Haziri, por deri tash nga i njëjti nuk ka marrë përgjigje. Injorimi i pezullimit të gjykatës nuk është thjesht një procedurë; ai mbart rreziqe reale për qytetarët. ARC-ja është institucioni që lëshon dokumente jetike si pasaporta dhe letërnjoftime. Çdo akt i nënshkruar nga një drejtues, emërimi i të cilit ligjërisht është “i pezulluar”, mund të kthehet nesër në një problem juridik për vlefshmërinë e këtyre dokumenteve.



