Gjykata refuzon gjykimin në mungesë në rastin ‘Banjska’

18 prill 2025 | 16:23

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar të premten se e ka hedhur poshtë kërkesën e Prokurorisë Speciale për gjykim në mungesë në rastin e sulmit në Banjskë në veri të Kosovës.

Gjykimi në rastin “Banjska”, ku është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ka nisur të enjten për tre të akuzuarit që ishin kapur pas sulmit të vitit 2023.

Për 42 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë.

Gjykata ka vlerësuar se kërkesa e prokurorëve për gjykim në mungesë është “e pabazuar”.

“Në këtë fazë të procedurës nuk mund të procedohet me gjykimin në mungesë ndaj të pandehurve që gjenden në arrati, pasi nuk janë plotësuar kushtet e përcaktuara me Kodin e Procedurës Penale dhe Kodin Penal të Republikës së Kosovës për gjykim në mungesë”, ka theksuar Gjykata Themelore në Prishtinë. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i UÇK-së në Maqedoni dhe kryetari i BDI-së, Ali…