
Gjykata refuzon kërkesat për pezullimin e liberalizimit të tregut të energjisë
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat për vendosjen e masës së sigurisë ndaj Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, të publikuar nga ZRRE më 12 mars 2025. Kërkesat ishin parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës (SHPK), raporton Demokracia.com.
Sipas ZRRE-së, Gjykata ka vlerësuar se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe sjell përfitime të shumta për konsumatorët dhe sektorin në tërësi. Në arsyetimin e saj, Gjykata ka theksuar se liberalizimi:
– Promovon konkurrencë më të madhe ndërmjet furnizuesve;
– Nxit presion për çmime më të ulëta dhe shërbim më cilësor për konsumatorët;
– U mundëson furnizuesve të ofrojnë oferta më të favorshme dhe zbritje;
– Rrit efikasitetin në sektorin energjetik, duke nxitur kompanitë të menaxhojnë më mirë kostot dhe të ofrojnë shërbime më të besueshme – në interes të konsumatorëve dhe publikut në përgjithësi.
Gjykata ka vlerësuar edhe provat e paraqitura nga paditësit, përfshirë formularët e deklarimit vjetor për tatimin në të ardhurat e korporatave, por ka konstatuar se bizneset në fjalë nuk kanë dëshmuar se i plotësojnë të dy kriteret e nevojshme për të përfituar nga shërbimi universal – përkatësisht, të kenë më pak se 50 punëtorë dhe qarkullim vjetor nën 10 milionë euro. Në mungesë të përmbushjes së të dy kushteve njëkohësisht, Gjykata ka konstatuar se veprimet e ZRRE-së janë të bazuara në ligj.
ZRRE rikujton se obligimet ligjore për këtë çështje dalin nga neni 3 pika 1.72 dhe neni 37 i Ligjit Nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike, në fuqi që nga viti 2016. Ky ligj përcakton qartë se ndërmarrjet ekonomike që kanë më shumë se 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro nuk kanë të drejtë të furnizohen me shërbim universal dhe duhet të sigurojnë energjinë elektrike në tregun e lirë.
ZRRE fton të gjitha bizneset që i plotësojnë kriteret për treg të hapur, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të gjetur furnizues dhe të përfitojnë nga përparësitë që sjell konkurrenca në treg.
Institucioni ka ritheksuar përkushtimin e tij për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik, duke garantuar një treg të hapur, funksional dhe të harmonizuar me standardet evropiane.