
Gjykata serbe i vazhdon paraburgimin edhe për 30 ditë ish-policit Arbnor Spahiu
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, po vazhdon përpjekjet intensive për trajtimin e drejtë dhe adresimin institucional të rastit të arrestimit të z. Arbnor Spahiu nga autoritetet serbe.
Në kuadër të këtij angazhimi, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, informon opinionin publik se sot pas kontaktit me avokatin mbrojtës të Arbnor Spahiu, është njoftuar se Gjykata e Lartë e Suboticës ka vendosur vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tij për edhe 30 ditë të tjera.
“Z. Spahiu ishte arrestuar më 7 qershor 2025 dhe ndaj tij u shqiptua masa fillestare e paraburgimit më 9 qershor. Prokuroria e Lartë e Suboticës ka iniciuar procedurë penale me pretendimet për përfshirje të z. Spahiu në rastin e Banjskës, megjithatë, sipas avokatit mbrojtës, deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë apo dëshmi e besueshme që do të rëndonte pozitën e tij ligjore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Në njoftim po ashtu thuhet se avokati ka njoftuar se i ka dorëzuar gjykatës të gjitha dokumentet përkatëse të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe dokumentacionet që dëshmojnë se z. Spahiu e kishte lënë Policinë e Kosovës vite përpara ngjarjes së Banjskës.
Përfaqësues të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi kanë komunikuar me familjarët e z. Spahiu, përkatësisht me bashkëshorten e tij, të cilën e kanë informuar për vendimin e fundit të gjykatës. Familjarët kanë bërë të ditur se nesër, më 10 korrik, do të udhëtojnë drejt Suboticës për ta vizituar z. Spahiu, ndërsa do të ndalen edhe në Beograd për një takim me përfaqësues të Zyrës.
Duke marrë parasysh vendimin për vazhdimin e paraburgimit, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të paraqesë kërkesë formale për lejimin e vizitës tek z. Spahiu, miratimi i të cilës pritet të bëhet brenda kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme.
Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi mbetet në kontakt të rregullt me familjarët e z. Spahiu, duke i informuar në mënyrë transparente për të gjitha zhvillimet, veprimet institucionale dhe komunikimet me misionet diplomatike.
MPJD rikonfirmon përkushtimin e saj që ky rast të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe transparente, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe obligimet që rrjedhin nga dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.