
Gjykata Speciale nënshkruan marrëveshje: Të dënuarit mund ta vuajnë burgun në Belgjikë
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe Mbretëria e Belgjikës kanë nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen mbi zbatimin e dënimeve.
Marrëveshja është nënshkruar nga administratorja e DhSK-së, Fidelma Donlon, dhe Zherar Div, shef i Autoritetit Qendror për Bashkëpunim me Gjykatat Penale Ndërkombëtare, në Ministrinë e Drejtësisë së Belgjikës në Bruksel.
Sipas kësaj marrëveshjeje, personat e dënuar nga DhSK-ja mund ta kryejnë dënimin me burgim në Belgjikë, në varësi të kushteve që cakton DhSK-ja dhe miratimit të Belgjikës.
Sipas njoftimit të DhSK-së, kryetarja Ekaterina Trendafilova, ka nënvizuar se zbatimi i dënimit është thelbësor për një sistem gjithëpërfshirës dhe efektiv të drejtësisë penale ndërkombëtare.
“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Belgjikës riafirmon përkushtimin e fuqishëm të saj ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe aftësinë e DhSK-së për të kryer mandatin e vet”, citohet të këtë thënë ajo.
Trendafilova ka ftuar edhe shtetet e tjera të ndjekin shembullin e Belgjikës në fuqizimin e kornizës së DhSK-së për zbatimin e dënimeve përmes arritjes së marrëveshjeve të ngjashme.
Ndërsa shefi i Autoritetit Qendror të Belgjikës, ka deklaruar se “me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje dëshirojmë të shprehim mbështetjen e Belgjikës ndaj DhSK-së dhe drejtësisë ndërkombëtare në tërësi. Me këtë marrëveshje, Belgjika tregon angazhimin e vet të palëkundur ndaj funksionimit të plotë të DhSK-së, sipas marrëveshjes midis BE-së dhe Kosovës”.
Në pajtim me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 midis përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe presidentes së Kosovës, dhe nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, dënimet e formës së prerë kryhen jashtë Kosovës.